DUBAI – Reperi dhe tiktokeri i njohur shqiptar, Kleviol Ahmeti, i njohur me emrin artistik Cllevio, pritet të ekstradohet nesër në Shqipëri nga Emiratet e Bashkuara Arabe, pas rreth tre muajsh ndalimi në Dubai. Sipas burimeve të “Gazeta Express Rozë”, Cllevio ka firmosur dokumentet për ekstradim vullnetar, duke pranuar të përballet me akuzat që, siç thotë ai, janë ngritur për motive personale dhe hakmarrëse nga kundërshtarët e tij.
Sipas informacioneve të para, Interpol Tirana pritet ta marrë në dorëzim më 8 tetor, ndërsa sapo të mbërrijë në aeroportin “Nënë Tereza”, ai do të dërgohet në Drejtorinë e Policisë së Tiranës për procedurat përkatëse. Burime pranë dosjes thonë se ndaj Cllevios ekzistojnë disa çështje të hapura ligjore në Shqipëri, që lidhen me shkelje të rendit publik, përhapje të gjuhës së urrejtjes në rrjetet sociale, si dhe konflikte të përsëritura me persona të njohur të showbizit shqiptar.
Emri i Cllevios është bërë i njohur për publikun jo vetëm për muzikën dhe videot e tij në TikTok, por edhe për incidentet dhe deklaratat e forta ndaj artistëve të tjerë. Më i bujshmi ndër to është konflikti me reperin Noizy, i cili për vite me radhë ka qenë në qendër të vëmendjes së mediave. Të dy kanë shkëmbyer akuza, fyerje dhe kërcënime publike, ndërsa në disa raste janë përfshirë edhe fansat e tyre. Në një episod të mëparshëm, Cllevio u arrestua për armëmbajtje pa leje dhe dhunë verbale ndaj zyrtarëve të rendit, por u lirua pas disa ditësh nën masa më të lehta sigurie.
Gjatë viteve të fundit, Cllevio ka qenë një ndër personazhet më të ndjekur në rrjetet sociale, ku njihet për stilin e tij provokues dhe mënyrën e drejtpërdrejtë të komunikimit me ndjekësit. Ai ka deklaruar shpesh se është “viktimë e sistemit” dhe se akuzat ndaj tij janë të fabrikuara nga persona që “nuk e durojnë suksesin e tij në rrjete”. Megjithatë, autoritetet shqiptare kanë konfirmuar se procedurat ndaj tij janë legjitime dhe lidhen me shkelje konkrete të ligjit shqiptar, përfshirë nxitjen e dhunës përmes platformave online.
Ekstradimi i tij pritet të sjellë zhvillime të reja në ditët në vijim, ndërsa fansat kanë shpërthyer në rrjete me mesazhe mbështetjeje dhe thirrje për drejtësi. Me rikthimin në Tiranë, Cllevio do të përballet me autoritetet gjyqësore për të sqaruar pozicionin e tij dhe për të mësuar nëse do të qëndrojë në paraburgim apo do të lirohet nën masë sigurie.
Ngjarja pritet të tërheqë vëmendjen e opinionit publik, duke rikthyer edhe njëherë debatin mbi figurat publike dhe përgjegjësinë e tyre në rrjete sociale