Ne prag te largimit! Edi Rama i bën nderin që i shpëton jetën Altin Dumanit, kjo nuk pritej aspak

Qeveria forcon sigurinë për kreun e SPAK…

Ekzekutimi mafioz i gjyqtarit të Apelit të Durrësit, Astrit Kalaja, ka tronditur themelet e sistemit gjyqësor dhe ka detyruar qeverinë të rishikojë urgjentisht masat e sigurisë për funksionarët e drejtësisë që përballen çdo ditë me dosje të rënda kriminale.

Vetëm disa ditë pas atentatit që ndodhi brenda sallës së gjyqit, Këshilli i Ministrave ka miratuar një vendim të ri, që zgjat dhe fuqizon masat mbrojtëse për drejtuesit e institucioneve kyçe të drejtësisë së re.

Sipas vendimit të publikuar, drejtuesit e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) do të shoqërohen nga truproja të armatosura të niveleve të ndryshme jo vetëm gjatë ushtrimit të mandatit të tyre, por edhe për një periudhë shtesë pas përfundimit të tij, deri në 3 vjet për drejtuesin e SPAK dhe 2 vjet për GJKKO e BKH.

Por ajo që bie në sy është fakti se ai që përfiton është Altin Dumani. Nëse shohim vendimin e vjetër dhe atë të ri, kreu i GJKKO dhe ai i BKH e kanë po dy vite ruajtjen pas largimit nga detyra. Ndërkohë për Dumanin është rritur nga 2 në 3 vite. Duhet theksuar se në tetor Altin Dumani ikën nga kjo detyrë.

Ky vendim vjen në një kohë kur vetë trupa gjyqësore ka ngritur zërin për mungesën e mbrojtjes në gjykata dhe mungesën e infrastrukturës minimale të sigurisë. Rasti Kalaja u cilësua si “një akt ekzekutimi i pastër mafioz brenda shtetit” nga kolegët e tij dhe nga organizata të shoqërisë civile. Në shumë raste, gjyqtarë dhe prokurorë të dosjeve sensitive janë shprehur privatisht se ndihen të pambrojtur dhe të ekspozuar ndaj hakmarrjeve.

Si ishte VKM:

“Garantimi i mbrojtjes personale të kryetarëve të Gjykatave Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme dhe drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit bëhet nëpërmjet shoqërimit me truprojë të nivelit bazë dhe truprojë të nivelit të mesëm gjatë kohëzgjatjes së mandatit dhe për një afat jo më shumë se 2 vjet pas përfundimit të tij”.

Si u ndryshua:

“Garantimi i mbrojtjes personale të kryetarëve të gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit bëhet nëpërmjet shoqërimit me truprojë të nivelit bazë dhe truprojë të nivelit të mesëm gjatë kohëzgjatjes së mandatit dhe për një afat jo më shumë se 2 (dy) vjet pas përfundimit të tij. Garantimi i mbrojtjes personale të drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme bëhet nëpërmjet shoqërimit me truprojë të nivelit bazë dhe truprojë të nivelit të mesëm gjatë kohëzgjatjes së mandatit dhe për një afat jo më shumë se 3 (tre) vjet pas përfundimit të tij”. /Pamfleti