Prekëse dhe plot ndjenjë janë fjalët e Edlira Çepanit, bashkëshortes së ish-deputetit demokrat Gert Bogdani, i cili u nda nga jeta në shtator të vitit 2024, në moshën 44-vjeçare.
Në një rrëfim emocional në emisionin “Mes’dritë” në Vizion Plus, Çepani foli për forcën që ka gjetur te fëmijët e saj dhe për vendimin për të mos e parë jetën më me “ngjyrë të zezë”, siç ajo shprehet, duke theksuar se jeta vazhdon dhe se Gerti do të donte vetëm gjëra të bukura e plot jetë për ta.
Çepani tha se fëmijët shpesh e pyesin kur do t’i heqë rrobat e zeza, ndëra nënvizoi se për hir të tyre, do të marrë pak nga pak vendimin për të larguar rrobat e zeza.
Edlira Çepani: Kjo pyetje më është bërë nga fëmijët atyre nuk u pëlen që të më shohin me ngjyrën e zezë. Për mendimin tim ngjyra e zezë është njëfarë ndjesie, por për shkak të tyre pak nga pak, jo vetëm unë, por të gjitha mamatë duhet të marrin vendimin ta largojnë sepse u jep edhe atyre një mesazh që jo gjithçka është e zezë dhe jeta vazhdon për ta. Gerti do donte për ne vetëm gjëra të mira, gjëra të bukura dhe gjëra që na jepnin më shumë jetë.
Çepani foli edhe për mënyrën se si ajo dhe i ndjeri Gert Bogdani kanë rritur fëmijët e tyre, duke theksuar rëndësinë e edukimit emocional dhe respektit të ndërsjellë në familje.
Ajo tregoi se marrëdhënia me fëmijët është ndërtuar me shumë kujdes dhe dashuri, duke i trajtuar ata si individë të barabartë, që meritojnë të dëgjohen dhe të përfshihen në vendimet e rëndësishme.
Çepani u shpreh se për të, fëmijët nuk janë “qytetarë të dorës së dytë”, por qenia më e vlefshme në botë, ndaj prindërit duhet t’i trajtojnë gjithmonë me respekt dhe ndjeshmëri.
Edlira Çepani: Fëmijët e mi kanë një inteligjencë emocionale shumë të lartë, sepse ne ia kemi edukuar dhe kemi investuar te kjo gjë. Ata i kuptojnë situatat në ajër. Nuk bëjnë shumë pyetje për sa i përket gjërave që janë të qarta. Marrëdhënia që ne kemi me fëmijët si prindër është një marrëdhënie që e kemi ndërtuar me shumë kujdes sepse besojmë fort që fëmijët duhen trajtuar me të gjithë kudjesin, por mbi të gjitha respektin, si njerëz të cilët për mua janë më të rëndësishmit e gjithë botës. Jo të mitë, por fëmijët në përgjithësi. Shpesh ne i trajtojmë fëmijët sikur janë qytetarë të dorës së dytë, hë se fëmijë është nuk kupton, ose s’po ia shpjegojmë këtë gjë, ose bëjë këtë gjë se e them unë dhe ti s’ka nevojë ta kuptosh pse duhet bërë. Ne nuk i kemi trajtuar asnjëherë në këtë mënyrë. I kemi trajtuar gjithmonë si më të rëndësishmit e familjes dhe edhe vendimet e rëndësishme që merrnim bashkë, konsultoheshin edhe me fëmijët.