Ilir Demalia ka reaguar pas debatit të natës së djeshme në emisionin e Ylli Rakipit, ku u përplas me biznesmenin Gjergj Luca. Ai thotë se që në orët e para të mëngjesit është “bombarduar” me qindra mesazhe, por shumë prej tyre, sipas tij, nuk kanë kuptuar ironinë që përdori ndaj Lucës.
“Shumë njerëz nuk e kuptuan ironinë që i bëra mikut dhe vëllait tim Gjergj Luca, kur i thashë se ai prodhon, ndërsa shumë biznesmenë të tjerë nuk prodhojnë asgjë,” shprehet Demalia.
Ai tregon se ironia vijoi edhe kur i kujtoi Lucës akuzat e portaleve për trafik droge me peshq: “I thashë, ti e kap peshkun, e çon në fabrikë, e përpunon dhe e eksporton në Amerikë e në vendet skandinave. Ja ku del pastaj portali që thotë se peshkut i fusin drogë në bark. E thashë ashtu siç e thonë ata që e sulmojnë Lucën prej kohësh.”
Demalia shton se e njeh personalisht Lucën dhe ka qenë me të në peshkim: “Ka raste që për dy ditë nuk hap gojën, vetëm ndjek peshkun nga telefoni, ku po hidhet e ku po lëviz.”
Në fund, ai thekson se ironia e tij nuk ishte sulm ndaj Lucës, por një pasqyrim i realitetit: “I thashë, vazhdo rri te bishti i peshkut se je në rregull. Po më vjen keq për ata që jetojnë me mllef e negativitet kundër çdo njeriu që punon.”
Në një debat të ashpër për oligarkinë që ka mbërthyer sektorë të rëndësishëm të ekonomisë në Shqipëri, analisti Ilir Demalia është përplasur me biznesmenin e peshkut Gjergj Luca.
Me tone të ashpra, Demalia e akuzoi Lucën se me kompaninë e tij Rozafa, transporton lëndë narkotike jashtë vendit, duke i fshehur ato brenda peshqëve të tij. Ai tha se për këtë ka prova pasi është vetë prezent në procesin e paketimit.
“Fol pra si burri se je dhe mirditor! Jam unë prezent që ti e merr peshkun, i fut dhe drogën brenda peshkut dhe e çon “Tunën” në Amerikë, me emrin Rozafa,” u shpreh Demalia.
Nga ana tjetër Gjergj Luca reagoi menjëherë: “O Syç po ne jemi shokë bashkë!”, një frazë që u duk si një përpjekje për t’i marrë të drejtën e fjalës dhe për të ndaluar hedhjen e më shumë akuzave në publik.
Deklarata ka ngjallur vëmendjen e publikut përsa i përket vërtetësisë së saj, prandaj shumë njerëz janë të interesuar nëse ajo qëndron apo është hedhur në publik për show.
Shkrimi i përket TVA News!