Sekretet e tm*rrshme të Sali Berishës, nga “Penicilina” e UDB te “Bisturia” e Beogradit, si u rekrutua në 1974…

Analisti Kastriot Aliaj sjell një rrëfim tronditës mbi figurën e ish-kryeministrit Sali Berisha, të cilën e cilëson si simbol të së keqes dhe agresivitetit patologjik në politikën shqiptare. Ai zbardh fakte të pazbuluara më parë mbi rekrutimin e Berishës nga UDB-ja, lidhjet familjare me elementë serbë, ndërhyrjet e Gazidedes për zhdukjen e dosjeve komprometuese dhe dokumente që, sipas tij, mbahen ende të fshehta nga CIA. Analiza e Aliajt përpiqet të tregojë rrënjët e Berishizmit si një fenomen i dëmshëm politik që ka minuar shtetin shqiptar për më shumë se tri dekada.

Ja çfarë zbulon Kastriot Aliaj ekskluzivisht për gazetën “SOT”

“Si bartës i urrejtjes dhe agresivitetit patologjik, Sali Berisha nuk iu bashkua politikës dhe drejtësisë për t’i dhënë lamtumirën gjyqtarit Kalaja, duke demonstruar moralin hakmarrës ndaj tij. Duke eksploruar dhe analizuar anatominë e rrugës së tij, del tek e vërteta e kamufluar dhe e mbuluar me mister, e cila ka dalë gjithnjë e mbushur me gënjeshtra dhe alibi, duke u paraqitur ballë për ballë me maska para shqiptarëve. E vërteta, si besim i njeriut që bazohet në fakte empirike, fetare e shkencore, nuk ka qenë kurrë pjesë e moralit të tij. Ai nuk u është prezantuar kurrë shqiptarëve se kush është në të vërtetë figura misterioze e tij, të cilës i u besuan detyrat më të rëndësishme të drejtimit të shtetit dhe të partisë. I ardhur nga regjimi monist, ku shërbeu deri në byronë politike, mundi të maskohej me më shumë finesë, duke fshehur veprimtarinë agjenturore si i rekrutuar nga UDB. Unike për fillimet e karrierës së tij pa u njohur nga shqiptarët, ishte situata socio-politike e konfuzë e viteve të para pas lëvizjes studentore për demokraci, e cila u kthye në një zhgënjim dhe anarki totale. Ky zhgënjim bëri që luftëtarët për demokraci të largoheshin nga Shqipëria në Perëndim, për të mos u bërë pjesë prishëse e vendit, nga ushtria shkatërrimtare berishiane. Në këtë situatë kaotike, ora e historisë i ra Sali Berishës, i cili pa asnjë meritë u ngrit me katapultë në lartësitë e mëdha të drejtimit të partisë dhe shtetit.

Berishizmi simbol i së keqes dhe agresivitetit patologjik

Po kush është në të vërtetë kjo figurë groteske, simbol i së keqes dhe agresivitetit patologjik në Shqipëri? Kush është ky njeri problematik, që ka 34 vjet në krye të opozitës, që nuk u bë kurrë një figurë normale drejtimi, por mbeti “arkitekt” i konflikteve të egra, armik i të gjitha figurave intelektuale brenda PD-së, i frikshëm, përbuzës i ligjeve, i prirur për të goditur këdo që i del kundër? Duke krijuar situata irreale, gjatë gjithë karrierës ka qenë skenarist dhe regjisor i intrigave, duke bërë thirrje për armatosje e revolucion, si në kohën e revolucionit bolshevik të udhëhequr nga Lenini. Por nëse Lenini kërkonte vetëm një tribunë për të mbajtur fjalime para bolshevikëve, Saliun do ta shohim çdo ditë në dhjetëra tribuna televizive, duke filluar nga televizioni i tij Syri Net dhe të tjerë që nuk ngurojnë ta bëjnë pjesë të intervistave, që nuk kanë asnjë vlerë për shumicën e shqiptarëve. Për ta njohur më mirë shqiptarët se kush është ky njeri problematik, shkatërrues i gjithçkaje në emër të komunizmit, po ndalemi te fakte dhe shifra që ndriçojnë errësirën e rrugës së tij, e cila qëndron si re e zezë mbi kokat e opozitës. Gjyshërit e tij ishin rusë, të ardhur nga rrethinat e detit Kaspik në Gjakovë në shekullin e 19-të. Të konvertuar në myslimanë morën mbiemrin Berisha, si më i përhapur në Kosovë. Pas vendosjes në fshatin Vicidol të Tropojës, të parët e tij i vunë dy herë zjarrin malësisë së Gjakovës, fakt ky që shumë tropojanë e dinë mirë. Pas mbarimit të Fakultetit të Mjekësisë, si mjek zemre bëri dokumentet për t’u pranuar anëtar i PPSH. I ndihmuar nga vëllai i tij Idrizi, i cili nuk jeton më, por duke pasur mik kryetarin e degës së punëve të brendshme të Tropojës, e futi si bashkëpunëtor duke marrë pseudonimin “Penicilina”, në këmbim të pranimit në parti. Dosjen e Saliut e ka mbajtur drejtori i punëve të brendshme Zef Loka, i cili e kishte ndihmuar shumë Saliun për problemet familjare. Si delir i madhështisë për poste e karrierë, ka pasur shqetësime psikike, për të cilat është dërguar në Austri i shoqëruar nga mjeku Ylvi Vebiu me urdhër të Ilir Gjylbegut, ish-sekretar i partisë së spitalit. Por me ardhjen e Saliut në pushtet, Ylviu largohet për në SHBA, sepse mund të bëhej kurban i tij, duke deklaruar para gazetarëve në Rinas: “Mjerë Shqipëria në dorë të kujt ka rënë”.

Lidhjet

Bashkëshortja e Saliut quhej Sllobodanka, me origjinë serbo-malazeze, ndërsa e ëma quhej Milica; me t’u martuar me Saliun u konvertua në myslimane duke u quajtur Liri. Në ish-Jugosllavinë e atyre viteve, vëllai i Saliut, Rexhepi, i dërguar për studime, kur u prenuan marrëdhëniet nuk u kthye në Shqipëri, por u rekrutua për bashkëpunim me UDB. Kjo lidhet me faktin se motra e Milicës, gruaja e Rexhepit dhe tezja e Lirisë, ka qenë gjatë LDB oficere e OZNËS (pararendëse e UDB-së). Zonja në fjalë ishte mbështetëse e famëkeqit Ranković, koka e operacioneve për shfarosjen e shqiptarëve. Djali i Milicës dhe vëllai i Lirisë, gjatë luftës në Bosnjë, ishte këshilltar ekonomik i Miloševiçit. Saliu në atë kohë krijon shoqatën “Shqiponja”, duke furnizuar me naftë makinën vrasëse serbe të Miloševiçit. Nga sigurimi i shtetit shqiptar të atëhershëm është zbuluar veprimtaria agjenturore e Milica Ramës në shërbim të UDB-së. Saliu nuk mundi t’i zhdukë dosjet e tyre, por me anë të Gazidedes i zhduku dosjet e tij; edhe ky agjent i UDB-së i rekrutuar qëkur punonte mësues në Peshkopi. Jo më kot Saliu i dha shumë pushtet Gazidedes, sepse ai kishte informacione të shumta për veprimtarinë e tij. Por Gazidede zhduku shumë dosje të tjera që flisnin për bashkëpunëtorët me UDB-në.

Dosjet

Veprimtaria keqbërëse e Sali Berishës është shumëdimensionale, e karakterizuar nga veprime ogurzezë në spiunimin edhe të shumë shokëve të tij mjekë, gjoja për veprimtari spiunazhi. Për të fituar besimin tek partia, ai punonte shumë për të mos u zbuluar si agjent i UDB-së, i rekrutuar më 30 dhjetor 1974 me nofkën “Bisturia”, e cila ndodhet në arkivat e UDB-së në Beograd, ku janë dokumentuar të gjitha detyrat e ngarkuara në dëm të Shqipërisë. Së bashku me Mehmet Elezin, spiunonin tek agjentët serbë të ardhur në Shqipëri, kosovarët e lëvizjes “Kosova Republice”. Nga frika se mos zbulohej si agjent, hyri me dallavere si rezervist në brigadën e Gardës, duke zëvendësuar mjekun Dine Abazin. Aty luajti të gjitha hapat për t’u bërë mjeku i Hysni Kapon, duke futur në lojë edhe të birin e tij, por nuk mundi dhe përfundoi mjeku i Simon Stefanit. Zbulimi shqiptar jashtë i dërgon një informacion kundërzbulimit, se në Shqipëri veprojnë dy kanale të UDB-së, njëri nga fshati Vicidol i Tropojës dhe tjetri nga Shkodra. Dokumenti firmoset nga drejtori i sigurimit të shtetit Sulejman Abazi, i cili u arrestua menjëherë nga Sali Berisha, me të ardhur në pushtet si president. Përveç tij si kandidat për kryetar të PD-së kanë qenë Meksi, Çeka, Vejsiu, por UDB ndërhyri për Saliun ndërsa Meksit i u premtua detyra e kryeministrit. Në vendosjen e tij si kryetar i PD-së, ishte edhe ndërhyrja e ish-ambasadorit amerikan në Beograd, Rajerson, që atëherë ishte i ngarkuar si komandant i grupeve të emigrantëve, i cili rekomandoj që Saliu të bëhej kryetar i PD-së.

Të dhënat

Me ardhjen në pushtet Saliu, së bashku me Gazideden, që mbante lidhje me terroristë nga vendet e Lindjes, kërkonin ta bënin Shqipërinë bazë të fondamentalizmit islamik. Për këtë ata nisen ndërtimin e dy kullave binjake në bulevardin kryesor të Tiranës, me terroristë të rrezikshëm të ardhur nga vendet e Lindjes, por falë CIA-s që i detyroi, ata u larguan brenda natës. Për këtë veprimtari ka dijeni ish-ambasadori ynë në Malajzi, z. Ferit Hoti, i cili është dëshmitar i miliona dollarëve që ka marrë Sali Berisha nga vendet islamike për strehimin e terroristëve. Nga kjo shumë i janë dhënë OCP-së së Arafatit, kur ishte gjallë me seli në Tuniz, miliona dollarë për armë e municione. UDB-ja, në bashkëpunim me Saliun, përgatiti 2 prillin në Shkodër më 1991, i cili mori trajtat e Rajshtagut gjerman për nga mënyra se si u realizua, duke shkaktuar vrasjen e 4 qytetarëve brenda protestave, ku u fajësuan punonjës të policisë që nuk kishin dorë në vrasjen e tyre. Një fakt për këtë është biseda e Arben Brocit me shokun e tij që organizoi vrasjen, Zef Përjakun, të cilit i thotë: “Pse e bere këtë o Zef?”, por përgjigjja nuk iu kthye kurrë; ai u çua në spital ku drejtor ishte z. Ali Spahia, i cili nuk e pranoi për t’i dhënë ndihmë, por i urdhëroi shoqëruesit ta çonin tek sheshi ku zhvillohej protesta. Ky akt çoi protestuesit në revoltë, të cilët bënë fajtor PPSH-në pa faj. Një tjetër marrëzi e Sali Berishës është shkuarja në ambasadën e ish-Jugosllavisë në Paris më 1994, i shoqëruar nga Azem Hajdari dhe Pjetër Arbnori. Saliu futet në ambasadë ku pritet nga dy oficerë të UDB-së, të cilët i dorëzojnë atij shumën prej 17 milion dollarë, me porosi të Millosheviçit. Shoferi që i çoi në aeroport ishte shqiptar, por kur i pa në televizor tha: “Këta janë armiq të Shqipërisë, se u futën në ambasadën e Jugosllavisë.” Kjo shumë parash që iu dorëzua Sali Berishës ngjalli debat në parlamentin serb midis Sheshelit dhe Millosheviçit, ku Shesheli akuzon Millosheviçin për shumën e dollarëve dhënë Saliut. Atëherë Millosheviçi me qesëndis i përgjigjet: “Shikoje Shqipërinë si është djegur dhe se si po vriten me njëri-tjetrin; ne do ta pushtojmë atë me shoqatën e gjuetarëve të Serbisë.” Pa u futur në shumë çështje të tjera që lidhen me veprimtarinë e krimit shtetëror, politik dhe ekonomik që mbajnë vulën e Sali Berishës, të cilat njihen nga shumë qytetarë shqiptarë, po ndalemi këtu duke tërhequr vëmendjen e qytetarëve që të njohin se kush është simboli i së keqes dhe agresivitetit patologjik në Shqipëri. Prandaj shoqëria shqiptare bën apel për të shkundur jo vetëm amnezinë 50-vjeçare të diktaturës komuniste, por edhe atë të periudhës së tranzicionit, që brezi i ri të mos retushojë periudhën e personalizuar nga misionari ruso-serb Sali Berisha, që familjarisht i ka kaluar kufijtë e historisë për krime shtetërore, politike dhe ekonomike.”