Pas humbjes ndaj Shqipërisë, tekniku i Serbisë, Dragan Stojković, i njohur si Pixi, ka dhënë dorëheqjen nga posti i tij, një vendim që e bëri publik menjëherë pas ndeshjes në konferencën për shtyp.
Takimi i zhvilluar në Leskovac për kualifikueset e Kupës së Botës 2026 përfundoi me rezultatin 0-1 në favor të kuqezinjve, një disfatë që solli fundin e epokës së tij në stolin serb.
“Kam pasur një bisedë me presidentin dhe sekretarin e përgjithshëm. Kam ofruar tashmë dorëheqjen time”, deklaroi Stojković para gazetarëve, duke marrë plotësisht përgjegjësinë për humbjen.
“Nuk e prisja humbjen, ekipi që është rivali ynë kryesor për vendin e dytë, marr përgjegjësinë, unë jam i vetmi fajtor. Mos u shqetësoni”, shtoi ai.
Tekniku serb u shpreh i zhgënjyer nga rezultati, por theksoi se sporti ka edhe momente të tilla: “Më vjen keq që e humbëm ndeshjen. Kështu është në sport dhe në jetë, do të ketë kohë për të folur për gjëra të tjera”.
Ai nënvizoi se dorëheqja ishte një akt përgjegjësie personale: “Si një person i përgjegjshëm, e kam treguar shumë herë deri më tani, ia kam ofruar dorëheqjen time drejtuesve”, tha Stojković.
Duke analizuar ndeshjen, ai pranoi se skuadra kishte vuajtur mungesa të rëndësishme, por pa kërkuar justifikime: “Patëm shumë probleme, shumë lojtarë të dëmtuar, por kjo nuk është alibi”.
“Këta djem kanë një të ardhme për sa i përket lojës për ekipin kombëtar. Nuk ka probleme, është përgjegjësia ime. Më kritikoni, unë jam më përgjegjës”, vijoi ai.
Në fund, Stojković komentoi edhe aspektin teknik të sfidës: “Përgjegjësia është e imja, nuk ka rëndësi se ku luajtëm. Rezultati pasqyron situatën në fushë. Ne nuk shënuam gol, ata shënuan”, tha ai.
“Mendoj se luajtëm saktë në pjesën e parë, patëm veprime të shkëlqyera, krijuam disa raste, por nuk arritëm ta vendosnim topin aty ku duhej, erdhi një dush i ftohtë. Në pjesën e dytë, provova gjithçka që munda të mendoja, shumë lojtarë sulmues u hodhën në fushë, nuk kishte topa dhe përfundime cilësore. Mendoj se Vlahoviç pati një shans, por topi shkoi lart”.