“Je e çmendur, si mund të shkosh atje” – Gruaja që braktisi Gjermaninë për Shqipërinë!

Si mundet që një vizitë e vetme në një qytet të panjohur të ndryshojë rrjedhën e jetës? Kjo është historia e jashtëzakonshme e një gruaje gjermane dhe lidhjes së saj të menjëhershme me Beratin.

Hilda Gioia tregon se si, që në momentin e parë që shkeli në qytet dhe pa lagjen Mangalem nga Ura e Goricës, ndjeu një tërheqje magnetike.

‘E dija menjëherë se ky ishte vendi ku doja të jetoja”, shprehet ajo. Pa hezitim, në po atë ditë, ajo vendosi të blinte shtëpinë që i tërhoqi vëmendjen.

Intervista ne Dritare TV zbulon detajet e këtij vendimi impulsiv, duke përfshirë komunikimin me gjeste me pronarin që fliste vetëm shqip dhe marrëveshjen e mbyllur me një shtrëngim duarsh.

Por, ndërsa për të ishte një hap i natyrshëm, për familjen e saj ishte një çmenduri. Ajo kujton reagimin e tyre mosbesues:

“Ata mendonin se isha çmendur. Të gjithë shqiptarët po përpiqeshin të largoheshin nga vendi, dhe ti po shkon atje?”

Ky rrëfim është një dëshmi e fuqishme se si intuita dhe dashuria për një vend mund të kapërcejnë çdo logjikë dhe paragjykim.

“Kur mbërrita këtu, ndjeva diçka që nuk e kisha ndjerë askund tjetër. Njerëzit më përshëndesnin në rrugë, më ndihmuan me shtëpinë dhe më bënë të ndihem si në familje,” – rrëfen ajo.

E mahnitur nga mikpritja shqiptare, gruaja ka blerë një shtëpi të vjetër karakteristike në lagjen historike të qytetit dhe tashmë e quan Beratin “shtëpinë e shpirtit tim”.

“Çdo mëngjes më zgjon dielli që futet nga dritarja dhe zhurma e zogjve. Kjo është pasuria ime e re,” – thotë ajo me buzëqeshje.

Gioia thekson se Shqipëria ka diçka të rrallë që mungon në vendet e zhvilluara: “Këtu njerëzit kanë shpirt.Të pyesin për të ditur realisht se si je ti, si ndjehesh, si ka qenë dita apo nata jote. Jo më besoni, kjo nuk ndodh askund tjetër.”

Në intervistën e saj për Dritare TV ajo flet me entuziazëm për mikpritjen, buzëqeshjet dhe ngrohtësinë e komunitetit që ka gjetur në Berat.

“Kur u tregoj miqve të mi në Europë, ata habiten pse jam këtu. Por unë u them: sepse këtu ka dashuri, këtu njerëzit të duan pa interes.”