Edi Rama nën hetim nga SPAK? Altin Dumani “i mbyll gojën” demokrates: Ja cfare di unë për të

Deputetja e Partisë Demokratike, Elda Hoti ka sjellë në tavolinën e Komisionit të Ligjeve takimin e pretenduar nga demokratët të kryeministrit Edi Rama me mafian në Aruba.

Ajo ka përmendur përgjimet e antimafias italiane, në të cilat sipas tyre përflitet për një takim të fshehtë të zhvilluar mes përfaqësuesve të karteleve të drogës dhe zyrtarëve të lartë shqiptarë, duke e pyetur kreun e SPAK, Altin Dumanin se nëse institucioni që ai drejton ka nisur hetime lidhur me këtë çështje apo jo.

“Pyetja tjetër ka të bëjë me çështjen Aruba. Në raportin e fundit të DASH, përmenden shqetësime për pastrim parash, mes lidhjes mes biznesit dhe politikës. A ka nisur SPAK një hetim të pavarur mbi përmbajtjen e përgjmeve të antimafias italiane që flasin për një takim të zhvilluar mes përfaqësuesve të karteleve dhe zyrtarëve të lartë shqiptarë, përfshirë edhe kryeministrin Edi Rama.

Dhe a është verifikuar që lejet e mëvonshme të investimeve në Shqipëri kanë shërbyer për pastrimin e parave. Nëse është ngritur një grup ndëristitucional për ndjekjen e flukseve të dyshimta që mund të kenë origjinë në këtë aferë”, tha Hoti, ndërkohë që kreu i SPAK vendosi që t’i përgjigjej shkurt duke u shprehur se nuk është në dijeni të kësaj çështje.

“Ju përmendët çështjen Aruba, unë nuk njoh asnjë çështje me emrin Aruba lidhur me këtë unë nuk kam asgjë për të ndarë as me Kuvendin as me opinionin publik”, ju përgjigj Dumani.