Kreu i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani, bashkë me gjashtë prokurorë të posaçëm, raportoi pasditen e së martës para Komisionit të Ligjeve, lidhur me veprimtarinë e institucionit që ai drejton përgjatë vitit 2024.
Së fundmi ka qenë gazetari Isa Myzyraj, i cili ka treguar dhe prapaskenat e këtij raportoi dhe atë çfarë ndodhi në Kryesi. Sipas tij, ndryshe nga vitet e kaluara, Dumani dhe përfaqësuesit e SPAK nuk u shfaqën në ambientet e Kryesisë përpara orarit zyrtar të raportimit, duke shmangur kështu çdo kontakt me përfaqësues politikë.
Ata u futën në sallë vetëm 20 minuta përpara nisjes së seancës, madje teksa qëndronin aty derën e lanë të hapur, si për të dhënë një sinjal transparence dhe distancimi të qartë institucional.
Ndërkohë, gjatë pushimit ndodhi dhe një episod i papritur ku deputetja Zegjine Çaushi duke “harruar” pozicionin e saj tanimë si një ligjvënëse në Kuvendin e Shqipërisë iu drejtua Dumanit duke i thënë që ka “qenë idhulli im”.
Postimi i plotë i gazetarit:
2 orë përpara se të mbaronte Ols Çela raportimin në Komisionin e Ligjeve pranë kryesisë së kuvendit vjen Altin Dumani dhe përfaqësues të tjerë të SPAK.
Ata nuk hyjnë për të pritur në kryesi, siç bënin përfaqësuesit e tjerë të drejtësisë vjet ose parvjet që vinin 3 orë para në kryesi dhe pinin kafe dhe cigare me përfaqësues politikë nëpër sallat e kryesisë. SPAK pret në një institucion tjetër të drejtësisë, pranë Komisionerit Publik ku Dumani ka zyrë.
20 minuta para orës 16:00 në kryesi hyn Altin Dumani dhe 6 përfaqësues të SPAK. Ata futen në një sallë pa asnjë kontakt me përfaqësues politikë dhe e lënë derën hapur si për të treguar se jemi vetëm ne.
Karriget e komisionit të ligjeve ishin bosh gjatë kohës së pushimit.
Në sallë hyri i pari Altin Dumani dhe të tjerët. Zënë vendet e tyre dhe presin anëtarët e komisionit të ligjeve.
E para afrohet Zegjineja dhe ende ndoshta pa e kuptuar se është bërë deputete i thotë Dumanit: Janë edhe gazetarët këtu por do ta them. Ke qenë idhulli im.
Asnjë reagim.
Një gazetar nga fundi I sallës: Zonja Çaushi thuaj çfarë të duash, nuk je fare subjekti jonë. Salla qesh.
Më pas nisi shoë politik se kush bën më shumë pyetje që s’kanë lidhje me raportimin e SPAK.