Erion Alibej, një nga të penduarit e drejtësisë në dosjen “Plumbi i artë”, rrëfeu të enjten se armët që përdoreshin në vrasjet e porositura prej tij i merrte te një hoxhë, shkruan A2 CNN.
“Armët për krimin i kam siguruar unë. Kam pasur një kontakt të dikujt që njihej si hoxhë në zonën e Freskut ne Tiranë. Kontaktin ja dhashë dikujt tjetër. Kam folur në Encrochat dhe Sky me të. Nuk e di emrin e tij. Më niste edhe foto të armëve. Altin Skëndaj ma dha si kontakt. Hoxhën për armë e kam kontaktuar disa herë. Kam marrë disa herë armë prej tij. Në Encro hoxha mbante pseudonimin ‘Noku'”, citohet të ketë thënë Alibej në gjyq.
Më herët Alibej tha se kishte qenë ai financues i vrasjes së Dorian Shkozës, ku ka humbur jetën edhe Anxhelo Avdia, si edhe në vrasjen e vëllezërve Haxhia, Bujar Çelës, Rigers Runajt dhe Emiliano Ramazanit. Deklarimet e Alibejt ishin në përgjigje të pyetjeve të bëra drejt tij nga avokatja e të pandehurit Altin Ndoci. (A2 Televizion)
Ai është shprehur se ka paguar paratë për ekzekutimin e Dorjan Shkozës, ka qenë pjesëmarrës në atentatin ku humbën jetën vëllezërit Viktor dhe Besmir Haxhia, në vrasjen e Emiljano Ramazit dhe Regis Runaj, si dhe në vrasjen e Bujar Çelës, vëllai i të shumëkërkuarit Talo Çela.
“Jam financues në vrasjen e Dorjan Shkozës. Jam pjesëmarrës në vrasjen e Besian dhe Viktor Haxhia. Jam pjesëmarrës në vrasjen e Emiljano Ramazit dhe Regis Runajt. Dhe në vrasjen e Bujar Çelës.
Kam qenë i dënuar më parë për trafik droge, në 2010-2011. Për këtë çështje jam arrestuar dhe kam dal nga burgu në 2013. Kemi qenë një grup i dënuar për këtë çështje, mes tyre dhe vëllai im i ndjerë. Vrasjen e Dorjan Shkozës e kërkova sepse me çdo kusht doja Talo Çelën.
Nga komunikimi që unë kisha me Nuredinin, unë disa persona nuk i njihja që ishin pjesëtarë në vrasjen e familjarëve të mi. E mësova nga Nuredin Dumani që Dorjan Shkoza ka marrë pjesë në ekzekutimin e familjarëve të mi. Nuredin Dumani me dukej i besuar sepse më korrespondonin të dhënat.
Nuredini Dumani nuk më tregoi ndonjë dokument për Dorjan Shkozën, por thëniet e tij më bindën. Lidheshin rrethanat, sepse Nuredini më tha kane qenë dy makina. Ndaj familjarëve të mi është qëlluar me dy automjete.
Për vrasjen e Anxhelo Avdia e mora vesh përmes televizorit mos gaboj. Nuk kisha dëgjuar më parë për Anxhelo Avdinë. Nuredini më tha që ai ishte pjesë e grupit kundërshtuar, i Talo Çelës. Enchro Chatin e kam përdorur që kur është hedhur në treg. Rreth vitit 2016-2017 e kam nisur përdorimin”, është shprehur Erjon Alibej.