Policia e Kukësit ka bërë me dije se ka arrestuar një 22-vjeçar nga Tirana, pas një incidenti të ndodhur në fund të ndeshjes së futbollit “Kukësi – Tërbuni”, e zhvilluar në stadiumin “Kukës Arena”.
I arrestuari është identifikuar si B. M., 22 vjeç, portier i ekipit të Tërbunit të Pukës, i cili, sipas njoftimit zyrtar, ka ushtruar dhunë ndaj një punonjësi të Policisë Bashkiake të Kukësit, menjëherë pas përfundimit të ndeshjes.
Sipas burimeve policore, ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta,
teksa 22-vjeçari është përplasur verbalish me punonjësin e rendit përpara se situata të përshkallëzohej në dhunë fizike. Punonjësi i Policisë Bashkiake ka marrë lëndime të lehta trupore dhe është dërguar për trajtim mjekësor në spitalin rajonal të Kukësit, ndërsa futbollisti është shoqëruar në komisariat.
Pas përfundimit të procedurave, B. M. u arrestua në flagrancë dhe materialet iu referuan Prokurorisë së Kukësit, ku ndaj tij po hetohet për veprën penale “Goditje për shkak të detyrës”, e parashikuar nga neni 237 i Kodit Penal.
Në një rast tjetër, Specialistët e Komisariatit të Policisë Tropojë kanë referuar materialet në Prokurori, ku ka nisur procedimi penal ndaj B. T., 71 vjeç, dhe djalit të tij 16-vjeçar, të dy banues në fshatin Viçidol.
Sipas njoftimit, babë e bir janë përfshirë në një konflikt fizik me një tjetër banor të zonës, A. M., për motive të dobëta, që dyshohet të kenë lidhje me kufirin e pronës dhe mosmarrëveshje të mëparshme familjare.
Në vendngjarje kanë ndërhyrë shërbimet e policisë së Tropojës, duke shmangur përshkallëzimin e konfliktit.
Të tre personat janë shoqëruar për deklarime, ndërsa po vijojnë hetimet për të dokumentuar plotësisht ngjarjen dhe për të përcaktuar përgjegjësitë ligjore të secilit prej tyre.
Policia e Kukësit dhe Tropojës theksojnë se do të reagojnë me vendosmëri ndaj çdo akti dhune, qoftë në ambientet sportive apo në komunitet, duke apeluar për vetëpërmbajtje dhe respekt ndaj ligjit nga të gjitha palët.