Stuhi dhe fortune në gjithë vendin/ Kujdes, ja çfarë na pret gjatë pasdites dhe në mbrëmje

Ditën e sotme vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike relativisht të paqëndrueshme. Moti parashikohet fillimisht me kthjellime kryesisht në veri dhe më pas shtim vranësirash mesatare deri të dendura. Reshjet e shiut pritet të bëhen prezente në orët e mëngjesit në jug, e gradualisht reshjet e shiut do të vijojnë në mënyrë të herëpashershme me intensitet të ulët në pjesën më të madhe të territorit.

Lokalisht priten reshje shiu me intensitet deri mesatar në formën e shtrëngatave afatshkurtra. Era pritet të fryjë me drejtim kryesor nga kuadrati i lindjes me shpejtësi mesatare 7m/s, ndërsa në zonat luginore dhe përgjatë vijës bregdetare pritet të fitojë shpejtësi deri 16m/s. Valëzimi në detet Adriatik dhe Jon do të jetë i forcës 2-3 ballë

Qyteti i Vlorës pritet që të preket në ditët në vijim nga moti i keq me reshje të dendura shiu nga data 17 deri 21 Tetor. Për këtë arsye bashkia e këtij qyteti ka dalë me një njoftim të rëndësishëm në rrjetet sociale, duke iu kërkuar qytetarëve që të marrin masa dhe të bëjnë kujdes.

“Referuar njoftimit të Qendrës Kombëtare për Parashikimin dhe Monitorimin e Rreziqeve Natyrore, nga data 17 deri 21 Tetor, qyteti i Vlorës parashikohet të përfshihet nga reshje shiu mesatare deri lokalisht intensive.

Ju lutemi të tregoheni vigjilentë për çdo situatë dhe të respektoni thirrjet dhe këshillat e autoriteteve. Jeni të lutur të shmangni parkimin e automjeteve në zonat që paraqesin problematika. Grupet tona të punës do të jetë në gatishmëri të plotë. Faleminderit!”, njofton Bashkia e Vlorës.