Në gjyqin kundër Plarent Dervishajt dhe Julian Meçes, të akuzuar për atentatin e bujshëm ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja, Aleksandër Lahos dhe Andi Malokut, është zbardhur dëshmia e Beqir Bojës, ish-kryetar i Këshillit të Komunës Zallherr dhe anëtar i Komisionit të Pajtimit të Gjaqeve në vitin 2019.
Boja deklaroi para trupit gjykues se është përpjekur që të pjatojë dy familjet, atë të Rrajave dhe të viktimës Andi Maloku, me kërkesë të Asllan Rrajës, babait të Redian Rrajës. Ai u thirr për të negociuar një marrëveshje që do të shmangte hakmarrjen pas vrasjes së Malokut.
Sipas dëshmisë së Bojës, familja Rraja kishte mohuar çdo lidhje me ngjarjen dhe kishte bërë betim në Kuran se nuk kishin dijeni për atentatin.
“Asllan Rraja më kërkoi të ndërmjetësoja me familjen e Genc Malokut për djalin e tij, Redianin. Gjatë takimeve me Gencin, ai pranoi të jepte një afat prej tre muajsh sipas ‘rregullit shqiptar’, për të parë çfarë do nxirrte drejtësia për këtë çështje,” mësohet të ketë thënë Boja para togave të zeza.
Teksa më tej tregoi se në takimin e dytë, Genc Maloku këmbënguli se djali i tij ishte vrarë “i pafajshëm në rrugë” dhe pranoi të priste rezultatet e hetimeve para se të ndërmerrte veprime hakmarrëse. Sipas Bojës, takimet u ndërprenë më pas, dhe nuk pati më komunikim mes palëve.
Në përfundim të dëshmisë, Boja theksoi se nuk njihte të pandehurit në sallën e gjyqit dhe se kishte vepruar vetëm si ndërmjetës për të shmangur përshkallëzimin e konfliktit.
Më herët babai i Andi Maloku, me zemrën e thyer dhe apelit për drejtësi foli para togave të zeza.
I përlotur, Genc Maloku rrëfeu edhe momentet e fundit të jetës të së birit dhe komunikimin që pati me të pas plagosjes. Ai ka treguar se ngjarjen e mësoi nga vetë i biri, i cili e telefonoi i plagosur dhe i tha: “Jam keq o babë, më kanë qëlluar”.
Sipas tij, djali nuk ishte objektiv i atentatit dhe nuk kishte konflikte me askënd. Ai shoqëronte prokurorin Arjan Ndoja dhe një person tjetër, Rrumin, në automjetin ku ndodhi sulmi.
Maloku pohoi se djali i tij kishte vetëm një muaj e pak që punonte si shofer jozyrtar i prokurorit Ndoja, punësim që kishte ardhur përmes një të afërmi që punonte në prokurori. Ai theksoi se i biri ishte i rregullt, nuk pinte duhan, alkool dhe nuk ishte i përfshirë në asnjë aktivitet të dyshimtë.
“Asnjë gjë nuk kam mësuar nëpër takime. As me Arjan Ndojën nuk kam mësuar gjë. Arben Malokun e kam çun xhaje. Personi që bëri lidhjen mes djalit e Arjan Ndojës. Djali kishte një vajzë nga Durrësi, e takonte shpesh. Aty e pa çuni i xhajës. Bënte stervitje, s’pinte as alkool, as cigare. Çuni i xhajës punonte shofer në prokurori. Ai i tha do ishte mirë të bëhej shofer. Unë s’pranova në fillim.
Nuk ishte shofer zyrtar. Një muaj e ca shërbeu. As rrogën e dytë s’mori. Nuk me ka paraqitur ndonjë shqetësim, unë kam qenë në Itali pas 3-4 ditësh ndodhi ngjarja. Djali im shoqërohej me çuna të moshës së tij. Me Pëllumb Muharremin dhe Vullnet Muçën, nuk besoj se ka qëndruar me ta. Djali im është rritur në Tiranë. As me Arben Mërkurin. Fare.
Rrumi ma ka thënë i pari, pasi doli nga spitali se e ka porositur Plarent Dervishaj. Nuk kishte motiv me djalin tim. S’kishte pse qëllohej. Dihet kush ishte motivi. As Rrumi, asnjë njeri smë intereson. Mua më ka ikur djali 23 vjeç. Ma kthen ti dot djalin? Ma kthen?! Normal që nuk ka qenë djali im objektivi”, mësohet të ketë thënë i ati i Andi Malokut, shoferit të Arjan Ndojës i cili fatkeqësisht mbeti viktimë e breshërisë së plumbave në 1 nëntor të vitit 2019.
Kujtojmë se, pasditen e 1 nëntorit të vitit 2019 mjetit me të cilin udhëtonin Andi Maloku, prokurori Arjan Ndoja dhe i quajturi “i tmerrshmi i Sukthit” Landi Muharremi, u qëllua me breshëri plumbash nga një mjet tjetër në ecje, ku dyshohet se ndodheshin 3 persona, dy qitësit dhe shoferi i mjetit.
Andi Maloku ishte i vetmi prej të plagosurve që u transportua me urgjencë nga Spitali i Durrësit drejt Traumës, pasi plumbat e kishin kapur në shpatull dhe në shtyllën kurrizore. Por, ndonëse bluzat e bardha u përpoqën me ditë për të shpëtuar të riun, fatkeqësisht ai ndërroi jetë.