Streha e fundit e Edi Ramës! Cfare fshihet pas protestës, dhe synimi i errët i Kryeministrit

Protesta për UÇK-në në Tiranë është thjesht skenari i tij për të goditur Albin Kurtin dhe për t’u shfaqur si “stabilizatori” i Ballkanit, një version shqiptar i Aleksandar Vuçiç…

Lëvizja Vetëvendosje ka rënë pa nevojë në kurthin që i ngriti Edi Rama. Marrja përsipër e një roli prej “lideri kombëtar”, nën pretekstin e mbrojtjes së ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, është një lojë e menduar me kujdes nga kryeministri i Shqipërisë, për të ndërtuar një llogore nacionaliste në ditët e fundit të pushtetit të tij.

Siç thuhet, “nacionalizmi është streha e fundit e maskarenjve”, dhe në këtë rast, Rama e ka gjetur perfekt strehën. Ai po vesh petkun e patriotit të zhurmshëm, për të maskuar frikën nga fundi politik dhe për të shpërqendruar vëmendjen nga korrupsioni, skandalet dhe izolimi ndërkombëtar që e kanë kapluar.

Në praktikë, qëllimi është politik: të sulmojë Albin Kurtin dhe të ndikojë në zgjedhjet e Kosovës. Duke rritur presionin ndaj Vetëvendosjes, Rama po përpiqet të pengojë fitoren e saj në Prishtinë dhe Mitrovicë, për të krijuar jostabilitet në Kosovë e për të shfaqur veten si “stabilizatori” i Ballkanit në sytë e Perëndimit.

Në këtë strategji, përfshirja e Ali Ahmetit në protestën e Tiranës nuk është rastësi, por pjesë e planit që Rama po shpalos ndaj qendrave perëndimore të vendimmarrjes: një sinjal që vetëm ai mund të ruajë ekuilibrin në rajon, njësoj si homologu dhe miku i tij i vjetër, Aleksandar Vuçiç.

Si Vuçiç, edhe Rama po përdor të njëjtin manual pushteti: frikën nga kaosi dhe nacionalizmin për të mbajtur karrigen. Ai po përgatit terrenin që të thotë: “Nëse bie unë, digjet gjithçka rreth e rrotull.”

Protesta për UÇK-në në Tiranë nuk ka asnjë funksion politik e as moral. Përkundrazi, ajo dëmton vetë ish-krerët e UÇK-së, sepse perceptohet si presion politik mbi një gjykatë ndërkombëtare. Por për Edi Ramën, kjo është e parëndësishme: rëndësi ka që të ndezë zjarrin, për t’u shfaqur më pas si “i vetmi që mund ta shuajë”.

Dobësimi i Albin Kurtit është thelbi i gjithë planit. Me Kurtin jashtë loje, Edi Rama do të mbetet i vetmi “zë shqiptar” që mund të flasë me Berlinin e Brukselin; një Vuçiç me fjalor më të butë, por me instinkte të njëjta pushteti.

Vetëvendosje ka vetëm një përgjigje të mençur në këtë situatë: të mos bjerë në grackë. Të mos replikojë, të mos reagojë. Sepse sa më shumë e përmend Ramën, aq më shumë e forcon rolin e tij si “aktor rajonal”. Heshtja është arma më e fortë ndaj një lideri që kërkon zhurmë për të fshehur frikën./Pamfleti