Gjykata Penale në Tiranë vendosi më datë 9 tetor masën e “arrestit me burg” për autorin e vrasjes të gjyqtarit Astrit Kalaja, Elvis Shkambi dhe dy persona të tjerë.
Sakaq, në dosje është sqaruar e gjithë dinamika e ngjarjes së rëndë.
Sekretarja rrëfen tmerrin, çastet e fundit të gjyqtarit

E pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni për rrethanat, sekretarja gjyqësore në Apel, ka deklaruar se gjyqtari i ndjerë ka bërë thirrje për hapjen e seancës gjyqësore për shpallje vendimi, rreth orës 15:35-15:40 të asaj dite.
“Ka thirrur të gjitha palët në proces me mikrofon, dhe janë paraqitur vetëm katër persona, paditësi Ragip Kurtaj, dhe një person që është prezantuar si djali i tij, si dhe dy persona nga pala e paditur, Gjon Shkambi dhe nipi i tij, Elvis Shkambi, i cili e shoqëronte. Palët janë ulur dhe gjyqtari ka çelur seancën gjyqësore. Fillimisht gjyqtari ka pyetur paditësin se kush është dhe i ka kërkuar të dorëzojë kartën ID. Ka ndërhyrë djali i tij, por gjyqtari i ka thënë se ishte dëgjues dhe zotëria mund të fliste vetë. Direkt pas kësaj gjyqtari ka shpallur vendimin ku është shprehur lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë, ka cituar dhe afatet e rekursit në Gjykatën e Lartë dhe më pas seancën e ka deklaruar të mbyllur”, thuhet në shkresën e vendimit zyrtar, bazuar në dëshminë e sekretares.
Me shpalljen e vendimit, paditësi dhe djali i tij kanë dalë jashtë sallës nr.3.
Në këtë moment gjyqtari Kalaja është ngritur për të shkuar drejt Dhomës së Këshillimit. Elvis Shkambi është afruar para podiumit të gjyqtarit dhe ka gjuajtur me pistoletë.
Siç ka rrëfyer para hetuesve sekretarja, në atë moment tronditës, ajo është çuar në këmbë dhe ka vendosur duart në kraharor. 30 vjeçari i ka thënë se “nuk ka gjë me të” dhe është kthyer përsëri duke gjuajtur me armë zjarri drejt gjyqtarit.
“Pasi ka gjuajtur herën e dytë ndaj gjyqtarit ajo është ulur poshtë tavolinës ka dëgjuar gjyqtarin i cilin rënkonte, ku po në ato momente ka dëgjuar se është afruar një nëpunës i gjykatës, i cili ka funksionin roje salle, por jo i sallës së tyre, i cili ka pyetur “çfarë ka ndodhur”. Ajo është ngritur në këmbë dhe ka thënë se kanë vrarë gjyqtarin dhe ka parë gjyqtarin të shtrirë dhe ka dalë në korridor ka bërtitur “njoftoni ambulance”, ndërkohë i është afruar një punonjës gjykatës dhe bashkë janë futur tek dhoma e këshillimit. Kjo punonjëse ka shkuar ka marrë një peshqir dhe ka ardhur përsëri ku me atë peshqir i kanë shtypur plagën gjyqtarit”, thuhet më tej në shkresë.
31 fishekë në makinën e Gjon Shkambit

Pikërisht nëpunësi gjyqësor që ka shkuar i pari në sallë për të parë se ç’kishte ndodhur, është personi të cilit Shkambi i ka dorëzuar armën e krimit.
Në atë moment, ai e ka futur armën në xhep dhe ka tentuar të kërkojë ndihmë. Me mbërritjen e tyre, forcat “Shqiponja” kanë tentuar ta prangosin, por ai u ka thënë se është punonjës i gjykatës dhe u ka treguar armën që i kishte dorëzuar vrasësi i gjyqtarit.
Në shkresë përmendet edhe automjeti tip “Mercedez Benz” i xhaxhai të autorit, Gjon Shkambi, që ishte parkuar te Xhamia e Namazgjasë. Në të, policia ka gjetur 31 fishekë, në dukje fishekë manovër, të kalibrit 9 mm. Sende të paligjshme janë gjetur edhe në banesën e autorit në Shkodër.
Armën e kishte prej 10 vitesh, e shkrepi atë ditë për herë të parë
Ndërkohë i pyetur nga hetuesit, 30 vjeçari ka pranuar çdo veprim që ka kryer me detaje, por ka hedhur poshtë teorinë e bashkëpunimit me xhaxhain e tij, të cilin po e ndihmonte dhe asistonte në këto procese gjyqësore prej 1 viti e 8 muajsh.
Ajo që është e çuditshme në gjithë dinamikën, është fakti se Elvisi me xhaxhain e tij, nuk kanë shkëmbyer asnjë fjalë, shikim apo provokim me palën tjetër me të cilin ishin në proces, pra babë e bir që në fund mbetën të plagosur.
Autori ka thënë se në momentin e shpalljes së vendimit, është tronditur dhe se nuk e duroi më padrejtësinë pas zvarritjes së këtij gjyqi.
Kështu, ka nxjerrë armën nga brezi, të cilën e posedonte prej 10 vitesh pa leje, por që s’e kishte përdorur asnjëherë. Megjithatë e kishte pasur me vetë në çdo seancë gjyqësore dhe në çdo institucion ku kishte shkuar për të kërkuar të drejtën e tij.

“Nuk doja të përfundonte kështu”
“Mbaj mend që kam qëlluar edhe një herë në drejtim të gjyqtarit dhe mesa kujtoj e kam drejtuar armën në drejtim të derës në mënyrë të pavetëdijshme, edhe një herë në drejtim të derës së sallës”, ka rrëfyer i riu, duke thënë se babë e bir i ka plagosur pa dashur, pasi me ta nuk kishte asnjë lloj problemi.
“Nuk kam dashur të qëlloj në drejtim të Ragip Kurtajt dhe djalit të tij, pasi me ta nuk kisha asnjë lloj problemi. Mund t’i kisha vrarë edhe në Shkodër ata, po të doja. Më pas jam afruar te gjyqtari për ta parë dhe mbaj mend që ai ishte i shtrirë në dyshemenë e sallës. Ishte gjallë dhe i vetëdijshëm. Kur po e shikoja gjyqtarin, pranë tij ishte sekretarja gjyqësore, e cila i ka thënë disa herë “të lutem, të lutem”, e frikësuar, dhe i kam thënë asaj të qetësohej, sepse nuk kishte punë me të”.
Pasi ka dorëzuar armën dhe ka dalë në oborrin e Gjykatës, bashkë me xhaxhain, i ka dhënë çelësat e makinës dhe sipas tij, në atë moment i ka thënë se “e vrau gjyqtarin”.
Xhaxhai i tij, i shokuar, i ka thënë “na fike”.
“Pasi kam dalë në oborr së bashku me xhaxhain, i kam dhënë atij çelësat e makinës, duke i kërkuar që të largohej, pasi ai nuk kishte punë. Por ai nuk u largua. Xhaxhai, në momentin që kam qëlluar në drejtim të gjyqtarit Astrit Kalaja, ka qenë pranë meje. Ai ka qëndruar i shokuar në sallë, pa kryer asnjë veprim. Ai ka qenë gjatë tërë kohës i shokuar dhe në gjendje të rënduar psikologjike, duke më thënë: “Na fike!”
“Jam penduar për çfarë ndodhi, nuk doja të përfundonte kështu”, mësohet të ketë thënë autori.