Një lajm i rëndë ka prekur komunitetin shqiptar në Greqi dhe më gjerë. Joana Qyli, e reja 28-vjeçare me origjinë nga Korça, është ndarë nga jeta pas një beteje të gjatë me një sëmundje të rëndë, duke lënë pas dhimbje dhe trishtim të thellë tek familja, miqtë dhe të gjithë ata që e kanë njohur.
Prej vitesh, Joana jetonte dhe punonte në Bruksel, ku ishte pjesë e stafit të Parlamentit Europian, një arritje e madhe për një vajzë të re shqiptare që kishte ndërtuar me shumë përkushtim karrierën e saj ndërkombëtare. Koleget dhe miqtë e saj e përshkruajnë si një vajzë me energji pozitive, ambicioze dhe me një shpirt të jashtëzakonshëm, që rrezatonte mirësi dhe profesionalizëm në çdo gjë që bënte.
Joana ishte vajza e dy prindërve korçarë, të cilët prej vitesh ishin vendosur në Greqi, ku kishin ngritur jetën dhe punën e tyre. Ajo kreu studimet universitare në Selanik, duke spikatur për rezultatet e shkëlqyera, e më pas vijoi studimet pasuniversitare në Holandë, përpara se të niste karrierën e saj në strukturat e Bashkimit Europian. Rruga e saj profesionale ishte një shembull frymëzues për shumë të rinj shqiptarë që ëndërrojnë të punojnë në institucionet europiane.
Pavarësisht sfidave që sëmundja i solli vitet e fundit, Joana ka luftuar me kurajo dhe shpresë, pa u dorëzuar asnjëherë. Të afërmit e saj tregojnë se ajo deri në momentet e fundit ka ruajtur buzëqeshjen dhe forcën shpirtërore që e karakterizonte.
Lajmi i ndarjes së saj nga jeta është pritur me tronditje të madhe nga komuniteti shqiptar në Greqi dhe në vendlindje, ndërsa në rrjetet sociale janë publikuar dhjetëra mesazhe ngushëllimi dhe kujtimesh për të. Shumë prej tyre e përshkruajnë si një vajzë që “i dha dritë çdo ambienti ku ndodhej” dhe që do të kujtohet gjithmonë për zemrën e madhe dhe shpirtin e pastër që kishte.