Një ngjarje e rëndë ka ndodhu pasditen e sotme në Himarë, ku një i moshuar është plagosur gjatë punët në tokën e tij, pas shpërthimit të një granate të fshehur në rrënjët e ullirit.
Policia e Vlorës konfirmoi ngjarjen e ndodhur dhe i dëmtuari është një 85-vjeçar që ka marrë plagë në pjesën e këmbës, por pa rrezik jete.
“Sot, në lagjen “Livadhë”, Himarë, në një sipërfaqe toke (ullishte), shtetasi K. K., 85 vjeç, duke punuar në tokën e tij, ka marrë dëmtime në këmbë, si pasojë e shpërthimit të një granate dore, e cila ndodhej e fshehur në rrënjët e një ulliri”, tha policia vendore.
I moshuari aktualisht ndodhet në Spitalin Rajonal Vlorë, jashtë rrezikut për jetën.
Policia dhe Prokuroria po hetojnë për rrethanat dhe personat që kanë fshehur lëndën plasëse te rrënjët e ullirit.
Grupi hetimor po kryen veprimet hetimore për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.