Emisioni investigativ “Top Story” solli në vëmendje një rast tronditës nga periudha e regjimit komunist në Shqipëri, që dëshmon për mënyrën çnjerëzore dhe të ftohtë me të cilën trajtoheshin edhe krimet më të rënda në atë kohë. Rasti në fjalë lidhet me përdhunimin e një vajze 15-vjeçare, që u mbajt për më shumë se 20 ditë e izoluar në një bunker në plazh, ku pesë të rinj abuzuan me të në mënyrë të përsëritur.
Ngjarja ka ndodhur në korrik të vitit 1980, dhe dokumentet arkivore të publikuara nga emisioni zbulojnë jo vetëm detaje rrëqethëse të krimit, por edhe reagimin e vetë Enver Hoxhës, i cili minimizoi rëndësinë e rastit duke dhënë një urdhër të ftohtë që trondit sot opinionin publik.
Sipas dosjeve të siguruara, më 20 korrik 1980, një grup prej pesë djemsh morën një vajzë të mitur nga Tirana dhe e dërguan në një bunker në një zonë bregdetare. Aty, sipas hetimeve të kohës, ajo u mbajt me forcë dhe iu nënshtrua marrëdhënieve seksuale të dhunshme deri më 10 gusht. Pas kallëzimit dhe hetimeve, katër prej autorëve u arrestuan, ndërsa i pesti ishte ende nën hetim. Në dokumente përmendet se “ka edhe persona të tjerë të përfshirë” dhe se “po merren masa për zbulimin e tyre”, por asnjëherë nuk është bërë publik epilogu i plotë i çështjes.
Ajo që ka tronditur më shumë publikun është qëndrimi i Enver Hoxhës, i cili, në një dokument të firmosur personalisht, pyeste pse duhej bërë problem një rast i tillë, me arsyetimin absurd se “viktima nuk ka vdekur”. Në dokumentin arkivor citohet:
“Shoku Enver Hoxha: Është problem kaq i madh ky, kur ti thua se nuk kemi raste që viktima të ketë pasur vdekjen nga marrëdhëniet seksuale të kryera me dhunë? Pse ta bëjmë problem diçka që nuk është vërtetuar në praktikë?”
Ky reagim, i pabesueshëm për standardet e sotme të drejtësisë dhe moralit, tregon mosndjeshmërinë ekstreme të sistemit diktatorial ndaj dhunës seksuale dhe jetës njerëzore, si dhe mënyrën sesi rastet e tilla trajtoheshin si “çështje dytësore” që nuk duhej të dëmtonin imazhin e pushtetit.
Publikimi i këtij dokumenti ka shkaktuar indinjatë të gjerë në rrjetet sociale dhe në opinionin publik, ku shumë qytetarë kanë reaguar me zemërim për mënyrën sesi regjimi i asaj kohe trajtonte viktimat dhe mbulonte krimet e njerëzve të lidhur me strukturat e Partisë.
Rasti është një tjetër dëshmi tronditëse e errësirës morale dhe politike të diktaturës komuniste, ku edhe krimet më të rënda mund të fshiheshin ose të relativizoheshin vetëm për të ruajtur “imazhin e shtetit socialist” dhe të udhëheqësit të tij absolut.