Qetësia në Gaza ka zgjatur shumë pak. Izraeli ka rifilluar bombardimet masive në jug të enklavës, duke goditur zonat e Khan Younis, Rafah dhe Nuseirat, ndërsa ka pezulluar edhe dërgimin e ndihmave humanitare ‘deri në njoftim të mëtejshëm’.”
Ushtria izraelite deklaroi se sulmet janë përgjigje ndaj një serie incidentesh, ku sipas tyre, militantë të Hamasit qëlluan mbi trupat izraelite, duke vrarë dy ushtarë. Si kundërpërgjigje, avionët luftarakë goditën “dhjetëra objektiva të Hamasit”, përfshirë tunele dhe depo armësh.
Autoritetet shëndetësore palestineze raportojnë se të paktën 18 persona kanë humbur jetën nga sulmet e fundit, ndërsa zyrtarët në Gaza thonë se që nga nisja e armëpushimit më 10 tetor janë vrarë gjithsej 38 civilë dhe janë plagosur mbi 140 të tjerë. Midis viktimave janë edhe gra e fëmijë.
Një nga goditjet më të rënda ndodhi në qytetin Al-Zawaida, ku u vra komandanti i njësisë elitë të Hamasit, Yahya al-Mabhouh, së bashku me disa luftëtarë të tjerë.
Ndërkohë, Hamas ka deklaruar se mbetet i përkushtuar ndaj marrëveshjes së armëpushimit dhe ka mohuar çdo përfshirje në incidentet e raportuara në Rafah, duke akuzuar Izraelin se po “kërkon justifikime për të rinisur luftën”. Nga ana tjetër, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka urdhëruar ushtrinë të “reagojë me forcë ndaj çdo shkeljeje”.
Situata humanitare është përkeqësuar ndjeshëm. Ndërprerja e ndihmave ka bërë që çmimet e ushqimeve dhe furnizimeve bazë të rriten ndjeshëm, ndërsa qindra familje po braktisin shtëpitë nga frika e një rikthimi të plotë të luftimeve. Pikëkalimi i Rafahut me Egjiptin mbetet i mbyllur, duke bllokuar hyrjen e karburanteve dhe ndihmave për mijëra persona që ndodhen në prag urie.
Ndërmjetësit nga Egjipti dhe Katari po përpiqen të ruajnë komunikimin mes palëve për të shmangur kolapsin e armëpushimit, por shpresat janë gjithnjë e më të zbehta. Gaza, pas gati dy vitesh lufte të pandërprerë, po përballet sërish me ankth, frikë dhe pasiguri për të ardhmen.