Ish-kryeministri Sali Berisha në një deklaratë për mediat ka deklaruar këtë të hënë se ish-kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako, është larguar nga vendi.
Nga selia blu, lideri i të djathtëve i ka bërë thirrje ish-kryebashkiakut që të tregojë se ku ndodhet.
Madje, ai i është referuar dhe një rasti të ndodhur më herët, kur në makinën e Vangjush Dakos u vendos eksploziv. Sipas Berishës autori i eksplozivit ka qenë Aldo Avdyli, i arrestuar pak ditë më parë.
“Gjushi sipas të dhënave është larguar nga vendi në drejtim të paditur. I bëj thirrje të tregojë vendin ku ndodhet. Tani po përdoret policia nga bandat për eliminimin e njëra tjetrës. Ju kujtohet kur u vendos tritoli në makinën e Gjushit. Tritolin Gjushit ja vendosi Aldo Avdyli, i cili i thotë se tritoli është vetëm paralajmërim, se ti që me kë kërkuar të bëj këtë e atë, unë ti kam plotësuar, të të jap votat që don, ti kam dhënë. Ju tani mbroni Elvis Docin dhe nuk pyesni më për mua. Sipas qytetarit dixhital Këto fjalët Aldo Avdyli ja ka thënë dhe një Bujar Bujar, është nën drejtor i Policisë së Durrësit. Kjo është arsyeja pse u arrestua Aldo Avdyli”, tha Berisha.
Ish-kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako u rikthye në qeli më 21 shtator, për të dalë nga aty 5 ditë më vonë.
Pasditen e 16 shtatorit, Dako u dërgua me urgjencë në spitalin e Durrësit pasi kaloi në aritmi. Pas vendimit të Apelit të GJKKO-së të cilët vendosën që të rikthejnë në qeli ish-kryebashkiakun, ky i fundit shfaqi përkeqësim të gjendjes shëndetësore dhe për këtë arsye u shtrua në spital.
Kujtojmë që Vangjush Dako u arrestua në 6 qershor 2023, por u lirua në shkurt të vitit 2024 pasi i kaloi afati i paraburgimit dhe prej asaj kohe ka qëndruar në masën e sigurisë “arrest shtëpie”.
Vangjush Dako u dënua për shpërdorim detyre në 2 raste, në kohën që ushtronte postin e kryetarit të bashkisë së Durrësit. Bëhet fjalë për ndërtimin e një pallati 12 vite më parë në Durrës, që u shemb nga tërmeti i vitit 2019. Leja e ndërtimit të pallatit u zbardh, tre vjet pasi ndërtimi kishte përfunduar dhe kishin hyrë banorët, duke legalizuar 4 kate pa leje. Po kështu dhe vetë ndërtimi nuk ishte bërë sipas projektit të miratuar nga Bashkia Durrës.
Ndërsa rasti tjetër i shpërdorimit të detyrës nga Dako lidhet me abuzimin me tenderin për ndërtimin e një shëtitoreje në vitet 2014-2015, të zbuluar nga KLSH, që I shkaktoi buxhetit të shtetit një dëm prej 18 milionë lekësh. Sipas vendimit të Gjykatës së Posaçme, Vangjush Dakos i hiqet e drejta për të ushtruar funksione publike për një periudhë 5-vjeçare.