Sdo iu duhet më as pashaporta! Pas pak muajsh te gjithe shqiptaret me Identitet digjital, ja cfare mund te beni

Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Punëve të Brendshme Albana Koçiu prezantojnë këtë të hënë më 20 tetor, nga Piramida e Tiranës projektin e Identitetit Digjital, një zhvillim i rëndësishëm drejt modernizimit teknologjik të Shqipërisë.

Sipas Ramës dhe Koçiut, ky sistem i ri nuk është thjesht një mjet identifikimi, por çelësi për një epokë të re të sigurisë dhe aksesit të lehtë në shërbime publike dhe ekonomike për qytetarët dhe ky hap përforcon angazhimin e qeverisë për një Shqipëri më të digjitalizuar dhe efikase.

Ministrja Koçiu tha gjatë fjalës së saj se: “Prej 12 tetorit, kushdo që ka udhëtuar në Europë e ka parë se si sportelet me policë po zëvendësohen nga sportelet inteligjente, me kamera, me robotë, me algoritme që njohin fytyrën dhe verifikojnë gjithçka në sekonda. Kjo nuk është një skenë nga një film fantastiko-shkencor. Ky është realiteti i ri. Kemi hyrë në një epokë ku Europa, gjithmonë e më shumë po avancon nga identiteti fizik, tek ai digjital. Sot, përballë këtij ndryshimi global, kemi vetëm dy zgjedhje: të jemi pjesë e së ardhmes, ose të mbetemi spektatorë të saj. Ajo çfarë ne kemi zgjedhur është e qartë besoj për të gjithë! Inovacioni është ura e padukshme që na lidh me të ardhmen dhe me Bashkimin Europian!”

Si do funksionojë identiteti digjital

Ministrja Koçiu tregon se si do funksionojë ky projekt, i cili sipas saj do të jetë pjesë e portofolit europian të identitetit digjital në vitin 2027, por kryeministri Rama theksoi më pas se Shqipëria do e ketë gati më para, në 2026-ën. Koçiu zbuloi dhe lehtësirat që ky projekt do sjellë, për shtetin, bankat, bizneset dhe sidomos për qytetarët.

“Sot, ne prezantojmë një projekt që prek çdo qytetar shqiptar. Një hap përpara, që ndryshon mënyrën se si ndërveprojmë me shtetin, me bankën, me biznesin, me njëri-tjetrin. Identiteti digjital nuk është një detyrim europian. Është një nevojë shqiptare. Një mënyrë për ta bërë jetën e qytetarëve më të lehtë e më të sigurt. Imagjinoni portofolin tuaj digjital në telefon. Në xhepin e kujtdo, kudo që është, nga Tirana, deri në skajin më të largët. Aty, me një klikim, janë të gjitha dokumentat personale: karta e identitetit, leja e drejtimit të automjetit, diploma – gati pë ti përdorur kudo, në çdo vend të Europës. Të sigurta, të mbrojtura dhe të aksesueshme në çdo moment. Me këtë portofol, çdo qytetar mund të thotë: ‘Ky jam unë.’ Në sekonda. Pa letra. Pa radhë. Pa vonesa. Në bankë, te noteri, në zyrat publike, me disa klikime, pa dokumente që humbasin apo firmosen disa herë.

Për shtetin, kjo do të thotë shërbim 24 orë në ditë, 7 ditë në javë, më pak burokraci, më shumë transparencë. Për biznesin, do të thotë më shumë besim, më shumë efikasitet. Identiteti digjital lidhet me biometrinë, me njohjen e fytyrës, me gjurmët e gishtave, me nënshkrimin elektronik. Deri në vitin 2027, Identiteti Digjital do të jetë pjesë e Portofolit Europian të Identitetit Digjital. Një realitet që do t’u lejojë qytetarëve të përdorin dokumentet e tyre në çdo vend të Europës. Vendet si Italia, Gjermania, Franca dhe shumica e shteteve të BE-së po ecin në të njëjtën rrugë. Sipas Komisionit Europian, deri në vitin 2030, 80% e qytetarëve europianë do të kenë një identitet dixhital funksional. Dhe përfitimet e pritshme, janë; një impakt prej deri 13% rritje e PBB në një periudhë afatmesme; reduktim i kostove administrative me 30-50%; si dhe reduktim i rasteve të mashtrimit apo vjedhjes së të dhënave online me 80%.tha Koçiu.

“Shqipëria lider në rajon në inovacion”

Ministrja e Brendshme po e ashtu e konsideroi vendin tonë lider rajonal në inovacion, duke zbuluar se mbi 1 mijë e 200 shërbime qeveritare jepen përmes platformës e-Albania.

“Siç e dini sot, Shqipëria është lider rajonal në inovacion. Revolucioni digjital i nisur, ka transformuar rrënjësisht marrëdhënien e qytetarit me zyrat e shërbimeve, duke shkurtuar radhët, kohën dhe sorrollatjet në dyert e shtetit. Jemi vendi i parë në rajon, që më shumë se 1.200 shërbime qeveritare apo më shumë se 95% e totalit të shërbimeve i ofrojmë 24/7 përmes e-Albanias. Më konkretisht, 3.3 milionë qytetarë shqiptarë, brenda apo jashtë vendit, kanë përfituar 50 milionë shërbime në total. Identiteti digjital, i bën të gjithë këto shërbime edhe më të sigurta, duke lehtësuar më tej ndërveprimin e qytetarit dhe biznesit me shtetin, si dhe ndërveprimin e tyre me njëri-tjetrin.Por ky është vetëm fillimi.”, vazhdoi më tej Koçiu.

Ministrja u ndal dhe tek projekti ‘Smart City’, për të cilin tha se përmes kamerave inteligjente do të bëjë të mundur një monitorim të pandërprerë të rrugëve, shkollave, shesheve dhe hapësirave publike në 20 qytetet më të mëdha të vendit.