Hetimi për atentatin ndaj gazetarit italian Sigfrido Ranucci, drejtues i emisionit investigativ “Report” në RAI3, po ndjek një pistë të re që përfshin Shqipërinë. Sipas La Repubblica, prokurorët e Drejtorisë Rajonale të Antimafias në Romë po hetojnë rolin e mundshëm të Artur Shehut, 58-vjeçarit me origjinë nga Vlora, i njohur në dosje ndërkombëtare si një figurë me ndikim në trafikun ndërkombëtar të drogës dhe me lidhje të dyshuara me Cosa Nostra dhe Sacra Corona Unita.
Sipas burimeve të hetimit, Drejtoria e Antimafias ka marrë informacion nga Vlora për përfshirjen e mundshme të Shehut në shpërthimin që ndodhi më 16 tetor nën banesën e Ranuccit. Edhe pse për momentin bëhet fjalë për një hipotezë, ajo po trajtohet me “vëmendje të veçantë” nga prokurorët italianë. Hetuesit janë duke rindërtuar çdo detaj të ngjarjes, përfshirë edhe një tentativë të verës së kaluar, kur dikush kishte provuar të hynte në banesën e dytë të gazetarit, por kishte dështuar.
Motivi i mundshëm, sipas La Repubblica, lidhet me një episod të “Report”-it të datës 21 prill 2024, me titull “(Hot) Spot Albanese”, që trajtonte marrëveshjen për qendrat e emigrantëve që Italia ka ngritur në Shqipëri. Në atë dokumentar, emri i Artur Shehut përmendej disa herë, i lidhur me interesa ekonomike që përfshijnë qarqe politike e institucionale shqiptare.
Gazetari Ranucci, i njohur për tonin e tij kritik, kishte deklaruar pas atentatit se “në këto 25 vjet investigime, kam prekur shumë interesa, por asnjëherë nuk do të pranoj që frika të zëvendësojë të vërtetën”.
Gjenerali italian, “Tek Artur Shehu më dërgoi Ëngjëll Agaçi”

Për të kuptuar dimensionin e këtij hetimi, duhet të rikthehemi disa vite pas. Emri i Artur Shehut u shfaq për herë të parë në ekranet italiane gjatë një episodi tjetër të “Report” në vitin 2024. (EMISIONI I PLOTË KËTU) Në atë investigim, gazetari Sigfrido Ranucci dhe ekipi i tij zbuluan një histori që, siç u shprehën atëherë, “tregonte për një McGonigal shumë më të hershëm, në versionin shqiptar”.
Në qendër të historisë ishte gjenerali italian Fabrizio Lisi, ish-kreu i Interpolit në Shqipëri dhe oficer ndërlidhës në luftën kundër trafikut të drogës. Ai pranoi në intervistë se kishte marrë 30 mijë metra katrorë tokë në bregdetin e Vlorës, si “dhuratë” nga një trafikant shqiptar ;Artur Shehu. Kur gazetari e përballi me dokumentin noterial të dhurimit, Lisi pranoi se lidhjen me Shehun ia kishte bërë Engjëll Agaçi, sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Ministrave dhe një prej njerëzve më të afërt të kryeministrit Edi Rama.
Emisioni i Report / Pikat më të forta kundër Ramës
“Nuk e njihja këtë person. Rastin ma solli Engjëll Agaçi. Unë e besoja Agaçin, pasi ai ishte njeri i besuar i kryeministrit shqiptar, Edi Rama”, – pohoi gjenerali Lisi në emisionin “Report”.
Në atë kohë, qeveria shqiptare dhe ministri i Brendshëm Saimir Tahiri kishin shpallur me bujë se në Shqipëri ishte shkatërruar “99.2% e fushave me kanabis”, deklarata u konfirmuar edhe nga gjeneralët italianë, por më vonë u përgënjeshtrua nga terreni dhe që sot, pas zbulimeve të fundit, duket se ishte ndërtuar mbi një rrjet ndikimesh dhe kompromisesh.
Rama, Agaçi dhe përplasja me “Report”
Publikimi i këtyre investigimeve krijoi një përplasje të fortë mes qeverisë shqiptare dhe RAI3. Kryeministri Edi Rama reagoi ashpër, duke akuzuar RAI3 për “shkelje skandaloze të etikës gazetareske”, pasi, sipas tij, emisioni nuk kishte publikuar përgjigjet e Engjëll Agaçit. Rama shkroi në rrjete sociale se emisioni kishte një “qasje kriminale” dhe e quajti atë një “episod të turpshëm baltosjeje të Shqipërisë”.
“Gazetari italian, me një paturpësi epike jo vetëm që nuk publikoi në emision asgjë nga përgjigjet me shkrim të pyetjeve të tij po me shkrim, dërguar Sekretarit të Përgjithshëm të Kryeministrisë, po edhe u shfaq në një kanal ujrash të zeza në Tiranë ku foli për refuzimin e viktimës së tij për të dhënë përgjigje!” u shpreh Rama në atë kohë.
“Kanali i ujërave të zeza” siç e quan kryeministri ishte Syri Tv dhe gjatë intervistës që dha aty, gazetari italian Giorgio Mottola u shpreh; “Shumë herë jam përpjekur të kontaktoj Edi Ramën dhe Agaçin. Provova disa herë, por pa marrë përgjigje”.
Investigimi i Raitre/ Pse e kërcënoi Rama gazetarin italian
Drejtuesi i “Report”, Sigfrido Ranucci, iu përgjigj menjëherë: “Të dielën e ardhshme do të ketë sërish vëmendje për Shqipërinë, dhe do të publikohen edhe përgjigjet e zotit Agaçi, të cilat, në fakt, e konfirmojnë se ai ka qenë avokat i trafikantëve të drogës”.
Pas presionit, RAI publikoi letrën zyrtare të Engjëll Agaçit, datë 5 prill 2024, ku ai mohon çdo lidhje me Shehun dhe thekson se ka lënë profesionin e avokatit në Itali që prej shtatorit 2013.
Në këtë letër, Agaçi pranoi se ka dhënë ndihmë ligjore në të kaluarën për shtetas të akuzuar për trafik droge, por mohon që Artur Shehu të ketë qenë ndonjëherë klient i tij.
Në reagimin e fundit për La Repubblica, Agaçi e quan raportimin “të dëmshëm për reputacionin tim”, duke shtuar se ka autorizuar avokatët e tij në Itali për të ngritur një padi për shpifje ndaj RAI3:
“Kam lënë detyrën ligjore 10 vjet më parë dhe krahasimi i bërë nga programi televiziv është shumë i dëmshëm për reputacionin tim. Burimet duhet të verifikohen dhe po ashtu edhe lajmet.”
Mëria ndaj gazetarëve që bashkoi politikën dhe krimin
Zbulimi i fundit i La Repubblica, që vendos Artur Shehun si të dyshuar në atentatin ndaj gazetarit Ranucci, i jep kësaj historie një dimension të ri. Nga një trafikant që dhuronte toka për gjeneralë dhe kishte kontakte me njerëz të qeverisë shqiptare, Shehu del sot si nyja e mundshme mes mafies, forcave të korruptuara të shtetit dhe pushtetit politik.
Reagon Engjëll Agaçi: Do padis RAI 3 që më quajti ish-avokat të narko-trafikanëve
Në retrospektivë, ajo që dikur dukej si një episod i largët korrupsioni, po rikthehet tani si një pistë e rëndësishme në hetimin e një atentati kundër një gazetari.
Nëse pista shqiptare do të konfirmohet, kjo do të jetë një provë dramatike se në ç’mënyrë janë ndërthurur interesat e krimit dhe politikës./Lapsi.al
Artikulli i Plotë i La Repubblica për hetimin e Artur Shehut për tritolin në makinën e Sigfrido Ranucci
Ka një pistë shqiptare në hetimin për atentatin ndaj gazetarit Sigfrido Ranucci. Emri mbi të cilin janë përqendruar tani hetuesit është ai i Artur Shehut, 58 vjeç, biznesmen me origjinë nga Shqipëria, i konsideruar nga disa hetime si një figurë me peshë në krimin e organizuar të vendit të tij. Aktualisht ai jeton në Shtetet e Bashkuara, në Florida, ku bën një jetë të rezervuar në Miami, ku është vendosur prej disa vitesh.
Sipas burimeve hetimore, edhe Drejtoria e Antimafias ka marrë informacion nga Vlora, në jug të Shqipërisë, për përfshirjen e mundshme të Shehut në shpërthimin që ndodhi më 16 tetor, nën banesën e moderatorit të emisionit ‘Report’.
Bëhet fjalë, për momentin, për një hipotezë, për të cilën nevojiten ende verifikime dhe prova përfundimtare, por që megjithatë po ndiqet me kujdes nga prokurorët e Drejtorisë Rajonale të Antimafias së Romës — zëvendësprokurorja Ilaria Calò dhe prokurori Carlo Villani — së bashku me karabinierët e Njësisë Hetimore prej ditësh po përpiqen të rindërtojnë çdo detaj të atentatit.
Mundësia e motivit lidhet me një episod të emisionit ‘Report’ të datës 21 prill 2024, me një shërbim të titulluar “(Hot) Spot Albanese”, mbi projektin e qendrave për emigrantët që Italia ka ngritur në Shqipëri, në Shëngjin dhe Gjadër, në kuadër të marrëveshjes së nënshkruar midis qeverive të Romës dhe Tiranës. Në atë shërbim, emri i Shehut përmendet disa herë dhe vendoset në një kontekst marrëdhëniesh dhe biznesesh që prekin qarqe politike dhe institucionale shqiptare.
Në programin e Raitre, 58-vjeçari shqiptar përshkruhet si një trafikant i rëndësishëm droge, i përmendur më parë në hetime ndërkombëtare për lidhje të supozuara me Cosa Nostra-n dhe Sacra Corona Unita-n. Sipas investigimit gazetaresk, Shehu ka dhuruar 30 mijë metra katrorë tokë pranë Vlorës për fondacionin e gjeneralit Fabrizio Lisi, që në atë kohë ishte kreu i Interpolit në Shqipëri.
Operacioni, gjithmonë sipas Report, do të ndërmjetësohej nga avokati Engjëll Agaçi, sekretar i përgjithshëm i Këshillit të Ministrave të Shqipërisë dhe bashkëpunëtor i ngushtë i kryeministrit Edi Rama, figurë e konsideruar kyçe edhe në përcaktimin e marrëveshjes dypalëshe me Italinë për emigrantët.
Emri i Shehut nuk ishte i panjohur as për shtypin ndërkombëtar. Në mars të vitit 2021, gazeta amerikane ‘Miami Herald’ i kishte kushtuar një investigim të gjerë me titullin: “Nga një vilë në Miami Beach, një njeri me lidhje të supozuara me mafien ndërton një perandori tregtare në Shqipëri”.
Artikulli jepte një portret të detajuar të jetës së tij në SHBA, duke përshkruar një vilë në Alton Road, “vetëm pak hapa larg gjirit të Biscayne”, të rrethuar me palma mbretërore, me një kopsht të mirëmbajtur dhe dy makina luksoze të parkuara në hyrje.
Sot, prokuroria po verifikon edhe këtë profil ndërkombëtar, duke kërkuar përputhje mes informacioneve të mbledhura në Shqipëri dhe lëvizjeve të 58-vjeçarit. Gjithsesi, pistat për urdhëruesit e atentatit mbeten të shumta, duke pasur parasysh numrin e madh të hetimeve që ‘Report’ ka zhvilluar ndër vite — shpesh duke hyrë në territore delikate dhe duke prekur interesa të rëndësishme ekonomike e kriminale.
Megjithatë, në këtë fazë, vëmendja e hetuesve duket se është përqendruar kryesisht te disa sektorë të mafies shqiptare, ndërkohë që karabinierët po vazhdojnë verifikimet për të identifikuar personin që ka vendosur lëndën plasëse dhe atë që, sipas zhvillimeve më të fundit, verën e kaluar kishte tentuar të hynte në shtëpinë e dytë të gazetarit, por pa ia dalë.