Doshi për herë të dytë brenda pak muajsh në Prokurorinë e Posaçme…
Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Tom Doshi është paraqitur ditën e sotme në SPAK. Në pamjet e siguruara nga “Pamfleti”, duket momenti kur Doshi futet në ambiente e prokurorisë.
Ai shihet duke folur në telefon, teksa më pas kalon i buzëqeshur pranë gazetarëve.
Nuk dihet ende arsyeja se përse ai është thirrur në SPAK. Kjo është hera e dytë që Doshi ngjit shkallët e Prokurorisë së Posaçme.
Në 24 shkurt ai u mor për herë të parë në pyetje dhe në atë kohë deklaroi se ishte thirrur për zgjedhjet në Rrogozhinë në 2023, duke shpjeguar se një nga personat që ka takuar gjatë një takimi elektoral ka qenë në përgjim nga SPAK.
Nuk e dimë nëse Doshi është edhe sot për aferat në zgjedhje, por ka një gjë tjetër shumë më të rëndësishme në të cilën ai është i përfshirë. “Pamfleti” ka denoncuar disa herë se si Doshi është i përfshirë në lulëzimin e basteve ilegale në Shqipëri. Personi që ai ka përdorur është Njuland (Lendi) Palaj, i cili menaxhonte lokalet “333” dhe “CR7”.
Gjithçka filloi gjatë zgjedhjeve parlamentare të 2021-shit, kur Palaj ishte i përfshirë në procesin e mbledhjes së votave në zonën e Ali Demit, duke punuar për llogari të PSD-së së Tom Doshit. Aty krijoi lidhje me personazhe kyçe që administronin rrjetin zgjedhor në terren dhe, pas mbylljes së zgjedhjeve, këto njohje i hapën dyert për t’u marrë më pas me lojërat e fatit në mënyrë të strukturuar. Më tej, thuhet se vetë njerëzit pranë Tom Doshit dhe Çim Babasit e mbështetën financiarisht dhe i siguruan një “ombrellë sigurie”, duke i dhënë mundësi Palajt të ngrinte një rrjet të sofistikuar bastesh.
Në formë të organizuar, rrjeti numëron 25 deri në 30 lokale të shpërndara në kryeqytet, secili i pajisur me platforma online, VPN të centralizuara dhe mundësi pagese kesh ose kriptovalutë. Në pamje të jashtme duken si kafene krejt të zakonshme, ose të regjistruara si “Tobacco shop/gaming corner”, por realisht aty qarkullojne miliona para bastesh në të zezë. Burimet për “Pamfleti” thonë se aktualisht logo apo tabela “baste” s’do të gjeni, por mjafton të njohësh njeriun “e duhur” për t’u kyçur në sistem.
Sipas burimeve tona, ka një hetim nga SPAK dhe BKH, të cilët po gjurmojnë pasurinë e Tom Doshit, i cili hodhi miliona në zgjedhje. Duket se ky do të jetë testi i radhës i drejtësisë, për të shkuar tek ata që fshihen pas Palajt. /Pamfleti