“Ju ditkeni edhe gjuhën e zogjve”, si u mahnit Kryeministri grek me Nanon kur pa sa gjuhë fliste, la pa fjale dhe

Analisti Aleksandër Çipa, i ftuar në studion e “Puls” nga Bruna Çifligu, në A2CNN, tregoi edhe një episod të veçantë në Kongresin e PASOK-ut në Greqi.

“Në takimet që bënte me delegacionet e huaja, Fatos Nano kur po shëtiste në pavijonet e Kongresit të PASOK-ut në Athinë, komunikonte me shumë gjuhë. Komunikonte me anglezët, italianët, spanjollët, gjermanët dhe arabët. Kryeministri i atëhershëm i Greqisë, Kostas Simitis, kur e dëgjoi që po fliste edhe arabisht, iu drejtua Nanos me një shprehje gati poetike: “Ju ditkeni edhe gjuhën e zogjve!” Ky ishte një episod i Kongresit të PASOK-ut”, kujton Çipa.

Ndërsa Bedri Islami, në një lidhje direkte me studion e “Puls” nga Bruna Çifligu, në A2CNN, tregoi se si e ka njohur Fatos Nanon që në kohën kur ish-kryeministri ka qenë gjimnazist.

“Fatos Nanon e kam njohur që kur ishte gjimnazist te “Petro Nini Luarasi” dhe më pas u ribashkuam në Partinë Socialiste, unë si gazetar, ndërsa ai si anëtar i udhëheqjes. Për kohën ka qenë rebel. Po të mos ishte djali i asaj familjeje që ishte, vështirë se mund të shkonte në universitet dhe vështirë se mund të bëhej anëtar partie. Ishte një nga djemtë që e quanin veten “Bitëllsat e Petro Ninit”. Ishte i dobët, i imët, nuk ta mushte syrin për asgjë. Askush nuk e besonte se një ditë do të ishte kryeministër i Shqipërisë. Ishte një djalosh që nuk vihej re në atë kohë. Edhe më vonë kur e kam takuar, ishte po i njëjti. Ai tallej me komunizmin, tallej edhe me artikujt që botonim në “Zërin e Popullit”. Ai tallej me shumë gjëra që komunistët i quanin të shenjta. Fatos Nano nuk do të kishte të ardhme nëse do të vazhdonte ajo politika e ashpër e para vitit 1985”, tha Islami. (A2 Televizion)