Gazetari Artan Hoxha, ka deklaruar në “Euronews Albania” se grupi që ka eliminuar mbretin e lojërave të fatit, Ervis Martinajn, janë fuqizuar shumë pas vrasjes së këtij të fundit.
Hoxha theksoi se ky grup ka marrë superfuqi edhe për shkak të lidhjeve me pushtetin ndërsa shtoi se autoritetet hetimore kanë të dhëna për ngjarjen, por nuk veprojnë pasi grupi është i rrezikshëm.
Sakaq, Artan Hoxha nënvizoi asnjë nga personat e këtij grupi kriminal nuk janë arrestuar deri më tani ndësa shtoi se s’mund të kesh pushtet të nëndheshëm nëse s’ke me këta lart.
“Shikoni ngjarjet e fundit që po ndodhin në Shqipëri. E njëjta dorë që pasi ka bërë eliminimin e Ervis Martinajt, tani ka marrë një ngjitje të menjëhershme dhe prandaj sot është shumë aktive dhe e rrezikshme.
Kemi një hierarki tjetër në botën e krimit të organizuar dhe po ashtu një hierarki tjetër në botën e atyre që quhen vrasës që janë rritur nga ajo kohë, ata që patën sukses në atë ngjarje. Asnjë nga ajo skuadër nuk është arrestuar.
Aleanca që realizoi vrasjen është shumë e fortë dhe në pushtet në të gjitha. S’mund të kesh pushtet të nëndheshëm nëse s’ke me këta lart.”-tha Hoxha.