Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Zheni Gjergji, ka marrë zyrtarisht detyrën si Drejtoreshë e Spitalit Rajonal “Dr. Xhaferr Kongoli” në Elbasan.
Lajmin e ka bërë të ditur ajo vetë përmes një postimi në rrjete sociale, ku është shprehur se nuk ka qënë një zgjedhje e lehtë politike por vendim profesional dhe njerëzor.
“Pavarësisht angazhimit tim të mëparshëm politik, unë kam qenë dhe mbetem mjeke. Profesioni im është thirrje, jo pozicion”, thekson ajo.
Gjergji është shprehur se për të është nder dhe përgjegjësi të jetë mjeke në qytetin e saj të lindjes ku do të angazhohet çdo ditë në shërbim të pacientëve dhe ka premtuar se do të punojë me përkushtim përtej bindjeve politike.
Postimi i plotë:
Të nderuar miq,
Të nderuar qytetarë të Elbasanit,
Sot kam pranuar me përgjegjësi dhe përulësi detyrën si Drejtoreshë e Spitalit Rajonal “ Dr. Xhaferr Kongoli” Elbasan. Kjo nuk ishte një zgjedhje e lehtë politike, por një vendim thellësisht profesional dhe njerëzor. Pavarësisht angazhimit tim të mëparshëm politik, unë kam qenë dhe mbetem mjeke.
Profesioni im është thirrje, jo pozicion. Kam zgjedhur të jem aty ku mund të jap më shumë për shëndetin e njerëzve, për komunitetin tim, për qytetin që dua.
Elbasani është qyteti im, vendi ku jam rritur dhe ku kam ndërtuar identitetin tim profesional. Të jem në krye të institucionit më të rëndësishëm shëndetësor të këtij qyteti është për mua një nder, por mbi të gjitha një sfidë që kërkon përkushtim, dije dhe ndershmëri. Shëndetësia ka nevojë për njerëz që e njohin sistemin, që ndjejnë barrën e përgjegjësisë dhe që janë të gatshëm të punojnë me përkushtim, përtej bindjeve dhe kornizave politike.
Faleminderit për besimin. Angazhimi im do të jetë çdo ditë në shërbim të pacientit, stafit mjekësor dhe dinjitetit të kujdesit shëndetësor.