A2 CNN ka siguruar dëshminë që kamerieri i kafenesë ku ndodhi vrasja e dyfishtë në Manzë, ka dhënë para grupit hetimor.
Ai ka zbuluar se debati ka nisur për një kafe dhe se 21-vjeçari Daniel Pepa, i shpallur në kërkim për këtë ngjarje, ka qenë ai që i ka kërkuar t’i shërbente. Sipas kamerierit kur i ka thënë se ishte e pamundur ti shërbente kafe, Pepa e ka fyer rëndë dhe ka ndërhyrë në këtë moment Flori Paluçi për ta mbrojtur.
Pas këtij veprimi Daniel Pepa dhe Flori Paluçi janë konfliktuar sipas kamerierit jashtë ambienteve të kafenesë.
Kamerieri në dëshmi thotë po ashtu se ngjarja ka ndodhur rreth orës 1:45 dhe në momentin kur janë përdorur armët të pranishëm ishin 5 persona, mes të cilëve edhe viktima Aranit Kurti, i cili ishte shok i ngushtë me Daniel Pepën.
“Daniel Pepa hyri i pari në lokal me shokun e tij dhe më kërkoi kafe, ekspresi ishte i fikur dhe ju thashë që nuk shërbejmë kafe në këtë orë. Ai ma ktheu se dua kafe patjetër dhe filloi të më fyente me fjalë të rënda”, ka rrëfyer kamerieri.
Më tej ai ka thënë se nuk e ka vazhduar më bisedën. “Ndërhyri Flori Paluçi për të më mbrojtur mua, Flori është banor i zonës dhe klient i lokalit, pra e njoh. Aty filloi konflikti fizik mes tyre, dhe dolën përjashta lokalit për ta vazhduar konfliktin”, ka dëshmuar më tej kamerieri.
Sakaq, A2 CNN mëson se policia ka shoqëruar 7 persona për ngjarjen në fjalë. (A2 Televizion)
Euronews Albania ka siguruar foton e 23-vjeçarit Aranit Kurti, i cili mbeti i vrarë gjatë një konflikti për një kafe në Manzë të Durrësit.
Kurti ishte ulur në tavolinë me Daniel Pepën, 21 vjeç, i cili i kishte kërkuar kamerierit të përgatiste një kafe, por kjo nuk u bë e mundur pasi ekspresi ishte i fikur.
Pas kësaj, personi që ishte ulur me kamerierin, Flori Paluçi, ndërhyri në debat dhe mori armën, duke qëlluar ndaj Aranit Kurtit dhe duke e lënë të vdekur në vend.
Më pas, Daniel Pepa, shoku i Kurtit ka reaguar duke vrarë me armë zjarri 33-vjeçarin Paluçi.