Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e rëndë e ndodhur gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm në Manëz të Durrësit, ku dy të rinj humbën jetën pas një përplasjeje me armë zjarri.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:45, në ambientet e një lokali pranë një karburanti ndërsa viktimat janë identifikuar si Aranit Kurti, 23 vjeç, dhe Flori Paluçi, 33 vjeç, të dy banues në zonën e Manzës.
Sipas burimeve paraprake nga hetimi, gjithçka ka nisur kur njëri prej viktimave, së bashku me shokun e tij, kanë hyrë në lokal dhe i kanë kërkuar kamerierit që t’u përgatiste një kafe.
Ky i fundit u ka shpjeguar se ekspresi ishte i fikur dhe e kishte të pamundur ty shërbente kafe, gjë që ka shkaktuar një debat verbal mes tyre.
Situata është përshkallëzuar shpejt, pasi në konflikt është përfshirë edhe një person tjetër që ndodhej në lokal ndërsa më pas ka ndodhur përplasja me armë zjarri.
Nga të dhënat e para hetimore dyshohet se Flori Paluçi ka qëlluar me armë zjarri ndaj Aranit Kurtit, duke e lënë të vdekur në vend.
Menjëherë pas kësaj, 21-vjeçari Daniel Pepa, i pranishëm në lokal, ka qëlluar për vdekje Flori Paluçin.
Kamerieri, ndonëse u përfshi në konfliktin verbal fillestar, nuk ka mbetur as i plagosur dhe as viktimë në këtë ngjarje.
21-vjeçari Daniel Pepa është shpallur në kërkim nga policia, e cila ka ngritur pika kontrolli dhe po kryen operacione intensive për kapjen e tij.
Grupi hetimor, nën drejtimin e prokurorisë, po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje të rëndë.