“Fallxhorja” e zgjedhjeve, i futet politikës! Aktorja Delinda Disha shpall kandidaturën për postin e madh

Pas shpalljes së kandidaturës së aktorit Florjan Binaj për Bashkinë e Tiranës, një tjetër emër i njohur i artit ka vendosur të hyjë në politikë. Aktorja Delinda Disha ka njoftuar se do të kandidojë për postin e kryetares së Bashkisë së Tepelenës në zgjedhjet e 9 nëntorit.

Përmes një postimi në rrjetin e saj social “Instagram”, Disha ka zyrtarizuar kandidaturën si e pavarur, për postin e kryebashkiakut në Tepelenë.

“Jam e lumtur të ndaj me ju lajmin si kandidate e pavarur për kryetare në Bashkinë Tepelenë. Me respekt, Delinda Zhupa Disha.”, shkruan ajo.

Kujtojmë se përgjatë fushatës së 11 Majit, Delinda nën petkun e aktores “parashikoi” fitoren e Partisë Socialiste. Në rolin e “Lushit” ajo i ra në kokë rezultatit kur i lexoi filxhanin e stërmadh Ramës në takimin përmbyllës në qarkun e Fierit, duke pasur në krah edhe Belinda Ballukun.

Mesa duket, aktorët që prej vitesh kanë fituar dashurinë e publikut me rolet e tyre në teatër dhe në spektaklet e humorit, po zgjedhin të “testojnë” mbështetjen e tyre përmes angazhimit në jetën politike.

Më herët ishte Florjan Binaj ai që njoftoi kandidimin për Bashkinë e Tiranës, ndërsa një tjetër figurë e njohur e skenës, Erion Isai, është aktualisht kryebashkiak i Ersekës.

“Fallxhorja” e zgjedhjeve të 11 Majit, i futet politikës!

Postimi i Delinda Dishes