Fundjava pritet të karakterizohet nga moti i paqëndrueshëm dhe reshje shiu, ndërsa dita e diel do të shoqërohet edhe me stuhi lokale në disa zona të vendit.
Sipas meteorologes së SHMU, Eneida Doçi, vendi ynë do të ndikohet nga masa ajrore të lagështa me origjinë perëndimore, të cilat do të sjellin ndryshime të ndjeshme të kushteve atmosferike.
“Depërtimi i masave ajrore të lagështa me origjinë perëndimore do të na shoqërojë edhe gjatë fundjavës. Moti parashikohet me alternime vranësirash mesatare deri të dendura, më të theksuara në zonat lindore, megjithatë nuk do të mungojnë periudhat me kthjellime të herëpashershme, kryesisht në ultësirën perëndimore,” – deklaroi Doçi.
Sipas saj, dita e shtunë do të shënojë reshje lokale me intensitet të ulët, kryesisht në orët e paradites, ndërsa gjatë pasdites pritet një përmirësim i përkohshëm i motit.
Në ditën e diel, reshjet do të rifillojnë dhe do të jenë më të dukshme në veriperëndim dhe në zonat qendrore, ku pritet formimi i stuhive afatshkurtra shiu.
E hëna do të sjellë sërish paqëndrueshmëri në orët e para të ditës, ndërsa e marta parashikohet me reshje të herëpashershme dhe me intensitet të ulët.
Ekspertët e motit këshillojnë qytetarët të tregohen të kujdesshëm gjatë udhëtimeve në fundjavë, veçanërisht në zonat bregdetare dhe malore ku parashikohen stuhitë më të forta.




