Kryeministri Edi Rama ka deklaruar sot se qeveria synon ta përmbyllë brenda këtij viti konceptimin e plotë të nismës “Paqja Fiskale”, për ta vënë në zbatim që në fillim të vitit të ardhshëm.
Në një deklaratë për mediat, Rama u shpreh se kjo reformë do të jetë një mesazh pozitiv për sipërmarrjen shqiptare, duke rikthyer besimin midis bizneseve dhe administratës tatimore. Ai theksoi se objektivi kryesor është rritja e performancës së sistemit fiskal dhe ulja e informalitetit.
“Është shumë e rëndësishme që ‘Paqja Fiskale’ të hartohet dhe të përmbyllet me sukses në aspektin konceptual deri në fund të këtij viti, në mënyrë që vitin e ardhshëm të fillojmë me zbatimin e saj. Kam shumë besim që nëse ‘Paqja Fiskale’ konceptohet dhe planifikohet siç duhet, do të jetë një mesazh shumë pozitiv për sipërmarrjen dhe do të rrisë të ardhurat për buxhetin e shtetit,” – deklaroi Rama, duke shtuar se “pika kyçe mbetet rritja e performancës në tërësi dhe ulja e informalitetit.”
Çfarë është “Paqja Fiskale”?
Nisma e qeverisë parashikon falje të kamatëvonesave dhe gjobave tatimore, mbylljen e çështjeve të prapambetura fiskale dhe krijimin e një marrëdhënieje të re bashkëpunimi me biznesin.
Në thelb, “Paqja Fiskale” synon të formalizojë ekonominë, të lehtësojë barrën e bizneseve që kanë pasur detyrime të vjetra dhe të rikthejë besimin e sipërmarrësve te shteti.
Paketa pritet të përfshijë edhe një mekanizëm të ri për rishikimin e kontrolleve tatimore, duke shmangur praktikat e vjetra të penalizimeve të menjëhershme dhe duke u fokusuar më shumë te bashkëpunimi për korrigjimin e parregullsive.
Petrit Malaj: Objektiv i qartë dhe ambicioz
Ndërkohë, Ministri i Financave, Petrit Malaj, theksoi se “Paqja Fiskale” është pjesë e një strategjie më të gjerë për zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm të vendit.
“Qëllimi ynë është i qartë dhe ambicioz. Përmes kombinimit të politikave të shëndosha fiskale dhe monetare, reformave strukturore të thella dhe investimeve strategjike, ekonomia shqiptare do të garantojë një trajektore të re zhvillimi të qëndrueshëm ekonomik,” – tha Malaj.
Në prag të zgjedhjeve, qeveria i propozoi biznesit “Paqen Fiskale” – një paketë që përfshin falje masive borxhesh dhe rishikim të detyrimeve tatimore. Bizneset shqiptare i detyrohen shtetit 1.6 miliardë euro. Për ekspertët, kjo është një tjetër qokë elektorale që dëmton drejtësinë fiskale dhe inkurajon informalitetin.
Esmeralda Topi
Në një takim me biznese nga Elbasani në kulmin e fushatës zgjedhore kryeministri Edi Rama prezantoi papritur një nismë të re: “Paqja Fiskale”, një paketë lehtësuese që përfshin falje masive borxhesh dhe rishikim të detyrimeve tatimore.
“Një plan paqeje fiskale, i frymëzuar nga parimet e Romës së Lashtë”, e cilësoi Rama këtë lëvizje pak javë para zgjedhjeve. “Kemi menduar një plan (…) të përdorur herë pas here në forma të ndryshme, një plan paqeje fiskale” deklaroi më tej ai.
Paketa nuk është pjesë e programit politik “Shqipëria 2030”, por qeveria argumenton se ajo do të sjellë më pak stres për bizneset, më pak kontrolle dhe më shumë qartësi.
Tre shtyllat kryesore të Paqes Fiskale:
- Tatim i Dakordësuar mbi Fitimin
- Rishikim i Pasqyrave Financiare
- Falje e Detyrimeve dhe Kamatë Vonesave
Nisma parashikon fshirjen e plotë të borxheve tatimore më të vjetra se 10 vite, nëse janë ende të pashlyera. Për detyrimet nga 5-10 vite parashikohet fshirje 50% e borxhit, nëse biznesi e paguan menjëherë. Ndërsa bizneset që nuk kanë mundësi për shlyerje të menjëhershme, do të ketë një marrëveshje 12 mujore dhe falja do të jetë në masën 25%. Nuk përfshihen këtu detyrimet për sigurimet shoqërore.
Po ashtu, paketa propozon edhe rishikimin e deklaratave të mëparshme të tatim fitimit.
Bizneseve u jepet e drejta që të rishikojnë deklaratat tatimore për 5 vitet e fundit pa gjoba e kamatvonesa (legjislacioni aktual e lejon për 3 vjet) por duke paguar tatim fitimi prej 5% për çdo diferencë fitimi që krijohet nga rishikimi.
Sa është borxhi që bizneset kanë ndaj shtetit?
Bizneset shqiptare i detyrohen shtetit 162.5 miliardë lekë, ose 1.6 miliardë euro, borxhe të papaguara në tatime dhe dogana.
Tatimi mbi vlerën e shtuar (TVSH) dhe tatimi mbi fitimin janë taksat kryesore që bizneset nuk kanë paguar ndër vite. Të dhënat zyrtare tregojnë se 84.7% e borxhit është me vjetërsi mbi 2 vite. Ndërsa detyrimet e pashlyera në kohë prej më shumë se 5 vitesh zënë 64.4% të totalit.
- 84.7% e këtij borxhi është më i vjetër se 2 vite.
- 64.4% i përket periudhës mbi 5 vite.
Dekadën e fundit, stoku i borxhit të biznesit është rritur vit pas viti, përjashtim bën vetëm 2017-ta.
Ish drejtori i tatimeve, Artur Papajani thotë se fshirja e borxheve nuk është privilegj, por ndëshkim.
“Fshirja masive e borxheve tatimore, nuk është privilegj për borxhlinjtë!Ajo është ndëshkim e dekurajim, për mijëra tatimpagues që gjithmonë kanë qenë korrektë, me përmbushjen tatimore”, argumenton Papajani për Faktoje.al.
Ndërsa, audituesi ligjor Julian Saraçi e cilëson nismën si kapitullimin e shtetit përballë informalitetit.
“Paqja fiskale është një akt i përsëritur dorëzimi ndaj informalitetit që është toleruar për vite. Kjo nismë nuk është marrëveshje, është kapitullim”.
Nëse bizneset kanë borxhe të pashlyera për më shumë se 10 vite, kjo nënkupton se administrata ka dështuar ta mbledhë këtë borxh në kohë- thekson Saraçi.
“Pra, nuk kemi vetëm një falje, por edhe një shpëlarje faji institucional. Ndaj, mendoj që më shumë se paqe, duhet të kryhet një hetim i thelluar pse është krijuar e parashkruar ky borxh dhe pse nuk janë marrë masat për mbledhjen e tij”
Borxhi i bizneseve ndaj shtetit do të ishte edhe më i madh, por qeveritë herë pas here kanë miratuar amnisti fiskale, duke falur miliarda lekë borxhe të sipërmarrësve në vend.
Qokat fiskale prag zgjedhjesh
Ky nuk është rasti i parë që falen borxhe në periudha parazgjedhore. Që nga viti 2009, janë ndërmarrë të paktën 6 masa me karakter amnistues, të cilat përkojnë me zgjedhje vendore apo parlamentare.
Në 2009 teksa shqiptarët do t’i drejtoheshin kutive të votimit për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, qeveria e asaj kohe propozoi legalizimin e kapitalit të padeklaruar. Në vitet 2011-2014 u falën gjoba dhe detyrime të vjetra për tu pasuar më vonë në 2019 me faljen e borxheve të energjisë. Po ashtu, në vitet 2023-2024 qeveria ringjalli projektligjin për amnistinë fiskale pavarësisht se kishte kundër të gjithë institucionet ndërkombëtare si FMN, BB dhe Bashkimin Evropian.
“Ky model nuk është rastësi, por një strategji e përsëritur elektorale, ku shteti përdor politikën fiskale si mjet për të blerë tolerancën në vend që të ndërtojë disipilinën fiskale” – ALTAX
Ekspertët e qendrës ALTAX argumentojnë se ky model duhet të ndalet urgjentisht pasi pasojat do të jenë rënda.
“Do të rritet informaliteti sepse tatimpaguesit do priren të mos paguajnë me shpresë për një ‘falje tjetër’. Po ashtu, do dëmtohet barazia fiskale, sepse shteti i të ‘falurve’ nuk mund të jetë kurrë i drejtë si dhe do të forcohet klientelizmi sepse falja fiskale po ndodh gjithnjë para kutive të votimit” – ALTAX
A është kjo paqe, apo thjesht një qokë parazgjedhore që nxit padrejtësinë dhe dëmton sipërmarrësit korrektë? Kjo është pyetja që ngrihet sot, teksa ligji zbutet në kohë fushate.




