Ish-kryeministri Sali Berisha ka publikuar sot në rrjetet sociale një njoftim ku pretendon se kreu i PSD-së, Tom Doshi, është larguar nga Shqipëria.
Në reagimin e tij në “Facebook”, Berisha shkruan se mbrëmjen e kaluar në Tiranë qarkulluan zëra për një urdhër-arrest të mundshëm ndaj Doshit, lëshuar – sipas tij – nga strukturat e posaçme të drejtësisë (SPAK). Ai shton se qyteti “gumëzhinte” nga thashethemet për arrestimin e deputetit, i cili pritej të paraqitej mëngjesin e sotëm në SPAK.
Megjithatë, Berisha thekson se mëngjesi e gjeti kryeqytetin pa asnjë konfirmim zyrtar dhe se “urdhri i përfolur i arrestimit u zhduk bashkë me Doshin”. Sipas tij, kreu i PSD-së “u urdhërua që t’ia mbathte në drejtim të paditur”.
Në statusin e tij, ish-kryeministri shkruan:
“Toma ia mbathi! Miq, gosipi i qytetit gumëzhiti mbrëmë anë e kënd e qoshe-qoshe të Tiranës se Tom Doshi u arrestua, se Tom Doshit i kanë prerë urdhër-arrestin skapistët e partisë dhe se Tom Doshi ishte diku larg apo te Rrapi e Treshit dhe sot në mëngjes do paraqitej burrërisht në SKAP për t’u burgosur. Sot në mëngjes gosipin e mori era dhe bashkë me të edhe urdhër-arrestin për Doshin, aleatin besnik të Ramaduros. Toma, që pardje ishte në Skap dhe dje u largua në drejtim të paditur, mbasi u urdhërua që t’ia mbathi. Rroftë drejtësia e Partisë së Krimit.”
Por, burime të “petravu.com” hedhin poshtë këto pretendime, duke bërë me dije se Tom Doshi u pa sot paradite në qendër të Tiranës, duke pirë kafe në Hotel “Plaza”, pranë sheshit “Skënderbej”.
Ky fakt hedh poshtë zërat për një arratisje apo largim të tij jashtë vendit, ndërsa vetë Doshi nuk ka reaguar ende publikisht për deklaratat e Berishës.
Reagimi i Tom Doshit (i fundit):
“O Sali mashtruesi! Për 20 vjet ke shpif kundër meje. Nuk jam largu, jam këtu, në mes të Tiranës duke e pi kafen mes miqsh e jo mes paranojash. Nuk frikësohem se nuk e kam vjedhur popullin si ti!”
Deri tani nuk ka asnjë konfirmim zyrtar nga SPAK ose nga vetë Doshi për një urdhër-arrest. Do të ndjekim çdo zhvillim dhe do të informojmë sapo të ketë verifikime shtesë.




