Kryeministri Edi Rama ka thyer heshtjen për lajmet e raportuara nga mediat në Shqipëri, për thirrjen në SPAK të ministres dhe zëvendëses së tij, Belinda Balluku. Ai thotë se drejtësia do bëjë punën e saj dhe qeveria e tij punën e vet.
“Si i komentoni rastet e fundit lidhur me zonjën Balluku? Në gjitha mediat e kam lexuar që ka një thirrje për bisedë, apo ku e di unë se ç’është”, është pyetja që gazetari shqiptar Bahri Cani i ka drejtuar kryeministrit Edi Rama në Berlin.
Ashtu siç ka deklaruar dhe më herët në raste të tjera, kryeministri Edi Rama është shprehur se ai nuk i komenton vendimet e drejtësisë dhe të gjithë personat e përmendur, deri në një vendim të formës së prerë janë të pafajshëm.
“Nuk kam asnjë koment për asnjë rast sepse siç e kam thënë, ne kemi punën tonë, drejtësia ka punën e vet dhe deri kur çështje të caktuara marrin formën e tyre të prerë të gjithë njerëzit janë të pafajshëm dhe janë të padënueshëm nga gjykata popullore e politikës dhe mediave që i shërbejnë politikës”, thotë Edi Rama.
Mediat kanë raportuar dje se ministrja e Infrastrukturës dhe njëherësh zëvendëskryeministre, Belinda Balluku është thirrur ditën e hënë në SPAK. Megjithatë, deri tani nga organi i akuzës nuk ka një njoftim zyrtar për këto raportime.
Intervista e kryeministrit Edi Rama është dhënë për seksionin shqip të Deutsche welle, një rrjet publik televizivi i financuar nga shteti gjerman, i njohur gjithashtu dhe si transmetues ndërkombëtar i shërbimit publik i financuar nga Qeveria Federale e Gjermanisë.




