Forcat Operacionale të Policisë së Burgjeve kanë nisur kontrolle blic mëngjesin e kësaj të shtune në ambientet e Burgut të Durrësit. Siç mëson newsbomb.al, janë kontrolluar qelitë dhe ambientet e përbashkëta ku kalojnë kohën të dënuarit.
Gjatë kontrollit janë gjetur pesë aparate telefoni celular të markës iPhone, të cilat përbëjnë sende të ndaluara në ambientet e institucionit. Ato janë gjetur të fshehura në dyert e dusheve (ambient i përbashkët), në Godinën “A”, kati i tretë, Sektori 1.
Vetë Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve njofton se dyshohet se këto telefona i përkisnin të dënuarve Flamur Kapri, Aldo Prifti dhe Vladimir Ibrushi.
Në lidhje me rastin, po vijon puna hetimore për identifikimin e plotë të personave përgjegjës dhe mënyrën se si janë futur sendet e ndaluara në institucion. Forcat Operacionale të Policisë së Burgjeve janë ende në këtë IEVP dhe vazhdojnë kontrollet.
Ky operacion i befasishëm rezulton të jetë i pari, pas disa muajsh, menjëherë pas emërimit në krye të Indrit Dodës në krye të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Burgje, raporton newsbomb.al. Dy javë më parë, zyrtari i lartë i Antiterrorit u emërua nga ministri Besfort Lamallari në krye të SHKBB.
Indit Doda është një oficer karriere dhe ka qenë pjesë edhe e disa operacioneve në Siri për riatdhesimin e shqiptarëve të bllokuar në kampet në Lindjen e Mesme, gjatë detyrës në Drejtorinë e Antiterrorit, në Policinë e Shtetit.
Ai është dekoruar me medalje trimërie dhe në atë periudhë mbante detyrën e shefit të operacioneve speciale, ndërsa në krye kishte Gledis Nanon, me të cilin ka pasur një bashkëpunim të shkëlqyer, i cili është reflektuar dhe në punën e Drejtorisë së Antiterrorit.
Njoftim për shtyp – Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve
Në orët e mëngjesit të sotëm, forcat operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve kanë zhvilluar një kontroll të befasishëm në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) Durrës.
Gjatë kontrollit janë gjetur pesë aparate telefoni celular të markës iPhone, të cilat përbëjnë sende të ndaluara në ambientet e institucionit.
Sendet janë gjetur të fshehura në dyert e dusheve (ambient i përbashkët), në Godinën “A”, kati i tretë, Sektori 1. Dyshohet se këto telefona i përkisnin të dënuarve me inicialet F. K., A. P. dhe V. I.
Në lidhje me rastin, po vijon puna hetimore për identifikimin e plotë të personave përgjegjës dhe mënyrën se si janë futur sendet e ndaluara në institucion.
© Newsbomb.al




