Një ish-ministër nën hetim gati të bjerë në “rrjetën” e SPAK, Prokuroria e Posaçme zbulon prapaskenat e fundit

Pak muaj më parë, Struktura e Posaçme Antikorrupsion (SPAK) konfirmoi se një ish-ministër shqiptare është nën hetim. Kjo informatë është bërë e ditur zyrtarisht, por detaje të tjera nuk janë publikuar. Prokuroria e ka konfirmuar statusin e hetimit, por nuk ka zbuluar emrin e ministrit apo masat e tjera që po shqyrtohen. Kur “Top Channel” e pyeti dje zyrtarisht SPAK për identitetin e ish-ministrit dhe nëse po shqyrtohet caktimi i një mase sigurie, Prokuroria u përgjigj se “një ish-ministër është nën hetim” dhe theksoi se “nuk mund të bëjmë publike informacione të mëtejshme”. Ky hetim vjen në një kontekst më të gjerë të luftës kundër korrupsionit në Shqipëri, një problem që ka prekur shumë institucione dhe figura publike në vend. SPAK është krijuar si një strukturë e specializuar për të adresuar çështjet e korrupsionit në nivele të larta, dhe ky rast aktual shpërfaq angazhimin e saj për të hetuar çdo rast të dyshuar. Ndërkohë, reagimi i institucioneve dhe pritshmëritë nga publiku janë të larta, duke pasur parasysh se kjo është një rast që mund të ndikojë në besimin e qytetarëve në sistemin gjyqësor dhe luftën kundër korrupsionit. Kjo situatë e re thekson domosdoshmërinë për transparencë dhe përgjegjshmëri nga të gjithë ata që mbajnë pozita publike, veçanërisht në kontekstin e një shoqërie që po përpiqet të rindërtojë besimin në institucionet e saj. Hetimi i këtij ish-ministri do të ndiqet me vëmendje dhe do të jetë në fokusin e opinionit publik, ndërsa SPAK vazhdon punën e saj për të çuar përpara proceset ligjore të nevojshme. Sidoqoftë, deri në këtë pikë, detajet mbi rastin mbeten të paqarta, dhe SPAK është angazhuar të ruajë konfidencialitetin e informacionit deri në përfundim të hetimeve dhe daljen në dritë të rezultateve përfundimtare, ndërsa në vijim po zbulojnë disa nga ish-ministrat apo ministrat aktual që kanë dosje në Prokurorinë e Posaçme (SPAK).

Kush janë ministrat dhe ish-ministrat me dosje në SPAK?

Arben Ahmetaj

Ish-zv/kryeministri dhe ish-ministri Arben Ahmetaj po hetohet nga SPAK për një sërë akuzash të rënda që lidhen me marrëveshjet e koncesioneve për inceneratorët.  Hetimi përfshin dyshimet për keqpërdorim detyre, korrupsion aktiv dhe pastrim parash, në bashkëpunim me biznesmenët Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri.  Skema, sipas SPAK-ut, fillon me koncesionet e inceneratorëve në Elbasan, Fier dhe Tiranë, të cilat akuzohen se janë pajisur në mënyrë të pasaktë dhe kanë përfshirë pagesa nën dorë dhe shfrytëzim të fondeve publike.  Hetimi ka bërë që SPAK të kërkojë disa urdhra arresti, të sekuestrojë pasuri dhe llogari bankare në emër të Ahmetajt dhe afërmve të tij.  Ahmetaj ka mohuar akuzat, duke e cilësuar procesin si ndjekje politike, dhe është shpallur person në kërkim ndërkombëtar.  Zyrtarët e SPAK-ut konfirmojnë se hetimi ka arritur në fazë të avancuar dhe ka mbledhur prova të rëndësishme, por procesi përballet me sfida jashtëzakonisht të mëdha proceduralisht dhe politikisht.  Kjo dosje vlerësohet nga ekspertët se mund të jetë një pikë kryesore për llogaridhënien në institucionet shqiptare dhe për perceptimin ndërkombëtar mbi luftën kundër korrupsionit në vend.

Frida Krifca

Hetimet e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për ish-ministren e Bujqësisë, Frida Krifca dhe vartësve të saj kanë hyrë në fazën finale. Krifca akuzohet për abuzim me fondet e Bashkimit Evropian, që ishin ndarë për mbështetje të sektorit bujqësor dhe zhvillimit rural në Shqipëri. Ajo dyshohet se ka shpërdoruar fondet e programit IPARD, që ka pasur për qëllim mbështetje për fermerët shqiptarë. Mësohet se hetimet, të cilat janë kryer në bashkëpunim të ngushtë me Zyrën Evropiane të Anti-Mashtrimit (OLAF), kanë nxjerrë në pah abuzime të shumta dhe keqmenaxhim të fondeve. Në vitin 2023, hetimi i SPAK-ut i shtrihet përtej dyshimeve të zakonshme për keqmenaxhim, duke arritur të identifikojë një rrjet të gjerë të individëve dhe grupeve që dyshohet se kanë përfituar nga fondet e BE-së në mënyrë të paligjshme. Ajo që ka bërë që ky hetim të marrë dimensione më të mëdha është se disa nga ato para, që ishin destinuar për zhvillimin e bujqësisë, përfunduan në duar të grupeve të krimit të organizuar. Ky ka qenë një moment kyç në hetimet e SPAK, që ka rritur dyshimet për përdorimin e këtyre fondeve si një mundësi për mbështetje të aktiviteteve kriminale. SPAK është tashmë në fazën përfundimtare të hetimeve, dhe dosja e Frida Krifcës po shqyrtohet me vëmendje të madhe. Ky hetim ka marrë përmasa shumë më të mëdha, pasi është bërë një test për sistemin e drejtësisë në Shqipëri dhe kapacitetin e SPAK-ut për të luftuar korrupsionin dhe për të mbrojtur interesat e qytetarëve.

Belinda Balluku

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku është përfolur për tendera të dyshimtë dhe koncesione me vlerë marramendëse. Një numër hetimesh kanë nisur në SPAK për mënyrën se si janë ndarë fondet publike. SPAK ka zbardhur qindra përgjime që implikojnë Ballukun në batërdinë miliona euro që bashkë me drejtorët e saj të arrestuar dhe nën hetim i kanë bërë dhe po i bëjnë buxhetit të shtetit. Madje hetimet e aferës së Tunelit të Llogarasë nga SPAK janë drejt fundit, ku flitet se javën që vjen prokurorët e SPAK do t’i komunikojnë akuzat zv/kryeministres Belinda Ballukut. Kjo dosje “gropos” Belinda Ballukun. Ekzistojnë të dhëna, përfshirë dëshmitë publike të Arben Ahmetajt, një prej pjesëmarrësve në takim, se kompania fiktive turke u paracaktua si fituese në një takim në Ankara, Turqi, të zhvilluar në datën 3 Qershor 2021, pra 21 ditë para rishpalljes së tenderit. Aty u bë pazari ku me një të rënë të lapsit, Balluku i shkaktoi 50 milionë euro dëm buxhetit të shtetit shqiptar. Kjo është një nga dhjetëra dosje që ka të hapura Balluku në SPAK.

Ulsi Manja

Ulsi Manja si ish-ministër i Drejtësisë, ai ndodhet në një pozicion paradoksal: nga njëra anë, ishte përgjegjës për drejtësinë dhe nga ana tjetër, përmendet në çështje të dyshimta që mund ta bëjnë atë klient të saj. Dosjet e tij nuk janë të pakta në SPAK, duke nisur nga ato për manipulimet elektorale e duke përfunduar tek denoncimet që janë bërë së fundmi ndaj tij. Madje thuhet se emri i tij ka dalë edhe nga zbardhja e përgjimeve SKY, program i cili përdorej nga kriminelët.

Ogerta Manastirliu

Ish-ministrja e Arsimit, Ogerta Manistriliu është nën hetim për tendera të zhvilluar në emergjencë dhe për kontrata të dyshimta kur drejtonte sektorin e shëndetësisë. Gjatë gjithë karrierës së saj, Manastirliu ka qenë pjesë e disa prej skandaleve më të mëdha të administratës publike, që kanë ngritur dyshime të forta për lidhje të errëta me korrupsionin dhe pastrimin e parave. Pas çdo pozite të rëndësishme që ka mbajtur, nga Drejtoresha e QSUT-së deri në Ministren e Shëndetësisë dhe Arsimit, ka pasur një varg skandalesh që e kanë pasuruar “CV-në e saj të zezë” dhe kanë ngjallur aludime për shpërdorim të pushtetit dhe abuzime të mëdha me fondet e shtetit. Gjithashtu Manastirliu është paraqitur në SPAK, për rolin e saj në aferën e sterilizimit, në kohën kur ka qenë drejtoreshë e QSUT dhe më pas Ministre e Shëndetësisë. Manastirliu, nyja e aferave në shëndetësi, u është përgjigjur dy orë pyetjeve të hetuesve të dosjes së koncensionit të sterilizimit. Po ashtu Manastirliu po hetohet edhe për aferën e laboratorëve, të cilët prej vitit 2020 janë dhënë me koncesion për 10 vite.

Arbjan Mazniku

Ish-zëvendëskryetari i Bashkisë së Tiranës dhe ish-ministër i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku është përfolur për favorizime në tendera dhe lidhje me biznese të mëdha që kanë përfituar nga fondet publike. Gazeta ka mësuar se Mazniku është thirrur kohët e fundit disa herë për të dëshmuar në SPAK. Madje raportohet se shtëpia e tij është kontrolluar nga agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Një investigim i mëparshëm i BIRN ngrinte hije dyshimi mbi Maznikun për një konflikt të mundshëm të interesi në lidhje me aktivitete të bashkisë të kryera në një restorant në Tiranë në pronësinë e tij familjare si dhe lidhjet me një tender të kompanisë publike, Tirana DC në kohën që drejtohej nga Redi Molla. Por jo vetëm kaq, SPAK ka të tjera materiale që pritet të tronditin pozitat e tij.

Taulant Balla

Taulant Balla si ish-ministër i Marrëdhënieve për Shtetin dhe Parlamentit dhe ish-ministër i Brendshëm i ka llogaritë e hapura me drejtësinë. Në muajin prill 2024, Balla ka qëndruar prej më shumë se 1 orë brenda SPAK. Dosja që e ka mbajtur dhe vazhdon ta përndjekë prej kohësh është ajo e aferës “Toyota Yaris”, e cila po hetohet edhe nga belgët. Janë pyetur shumë dëshmitarë dhe shkëmbyer letër-porosi mes SPAK dhe Belgjikës pikërisht për këtë çështje, por edhe për grupe të tjera kriminale të lidhura me politikën. Belgët madje kanë zbarkuar edhe në Shqipëri për të hetuar nga afër situatën. Për të avancuar hetimet, prokurorët thirrën edhe gazetarin Artan Hoxha në vitin 2022 në Belgjikë. Këto fakte i konfirmoi dhe denoncuesi i kësaj dosjeje nga Lulzim Basha, i cili ka thënë disa kohë më parë se “jam njeriu më informuar pas Ramës. Unë di më shumë se kaq. Nuk flas dot më shumë sepse dosja Toyota Yaris është në hetim. Po hetohen edhe anëtarët e mazhorancës.” Nga ana tjetër, ka akuza nga opozita se Balla po hetohet nga SPAK pasi ka dalë në përgjimet e SKY ECC duke favorizuar dhe bashkëpunuar me banda kriminale.

Mirela Kumbaro

Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro është përfshirë në hetime që lidhen me abuzimet në administrimin e pasurive natyrore dhe kontratat e dhëna për shfrytëzimin e tyre gjatë kohë që drejtonte Ministrinë e Mjedisit. Në kontrabandën e mbetjeve metalike toksike, që kompania turke “Kurum” në bashkëpunim me kompaninë “Sokolaj Sh.p.k” eksportoi në Kinë e Tajlandë, del e përfshirë Kumbaro me licencën e paligjshme mjedisore që i dha. Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimin për këtë skandal. Dyshohet se në regjistrin e licencave mjedisore të kategorisë “III.2.B” që janë dhënë gjatë vitit 2022, mungon vetëm dosja me aplikimin, studimin teknik-mjedisor dhe licencën që i është dhënë kompanisë “Sokolaj Sh.p.k” për eksport-import mbetjesh të rrezikshme. Prokuroria pritet të zbulojë nëse Mirela Kumbaro e ka dhënë ilegalisht dhe nuk e ka regjistruar lejen; ose e ka hequr pas plasjes së skandalit të mbetjeve, apo pasi u publikua leja. Prova fiktiviteti në lejen që ka firmosur Mirela Kumbaro, është mungesa e afatit kohor të aktivitetit import-eksport, dhe marrja e kompetencave të Drejtorit të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit. Skandali i mbetjeve, përforcon bindjen, se ministrja Mirela Kumbaro, është “kumbara” e shumë aferave gjatë periudhës shtator 2013- dhjetor 2018 kur ishte Ministre e Kulturës dhe prej shtatorit 2021 që është Ministre e Turizëm-Mjedisit. Emri “Mirela Kumbaro”, ka dalë në 23 afera të rënda shkatërruese për kulturën, mjedisin e turizmin, por dhe me dëme financiare e pasurore afro 2 miliardë euro sipas KLSH e Auditeve të Ministrisë së Financave, shkaktuar me vendimet dhe urdhrat e saj në pazaret që ka bërë.

Pirro Vengu

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu para disa kohësh ka ndodhur një aksion të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) në Portin e Durrësit, i udhëhequr nga SPAK, për të hetuar kontratën e terminalit të kontenierëve. Kjo kontratë, e nënshkruar nga ish-drejtori i Autoritetit Portual Durrës (APD), Pirro Vëngu, aktualisht ministër i Mbrojtjes, është në qendër të hetimeve për dyshime abuzimi. Në vitin 2021, APD i dha një koncesion 5-vjeçar kompanisë malteze Hili Limited për operimin e terminalit të kontenierëve, me vlerë 31 milionë euro. Sipas kushteve fillestare, kompania duhej të siguronte pajisje me fondet e veta, por dyshohet se këto kosto iu ngarkuan APD-së, duke favorizuar kompaninë private. Kjo situatë ka çuar në hetime të thelluara nga SPAK, përfshirë sekuestrimin e dokumentacionit dhe marrjen në pyetje të anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave.