Në samitin e procesit të Berlinit, kryeministri shqiptar u la në hije nga liderët e rajonit dhe u përball me sinjale të qarta ftohjeje nga Perëndimi, ndërsa hetimet ndërkombëtare për lidhjet e qeverisë me trafikantë po e izolojnë gjithnjë e më shumë…
Në samitin e Procesit të Berlinit në Londër, kryeministri Edi Rama ishte lideri më i injoruar nga të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Pavarësisht përpjekjeve për t’u bërë lajm dhe për të marrë vëmendje, duke ndërhyrë vend e pa vend në margjinat e takimeve, qoftë në protokoll apo në sjellje politike, kryeministri i Shqipërisë u trajtua me një ftohtësi demonstrative nga pjesëmarrësit.
Në krye të tavolinës qendrore, të drejtuar nga kryeministri britanik Keir Starmer si mikpritës dhe kancelari gjerman Friedrich Merz si themelues i këtij organizimi, ishte ulur kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiç. Ky ishte një sinjal i qartë politik për të treguar prioritetin e Bashkimit Europian ndaj Malit të Zi në procesin e anëtarësimit dhe për të nënvizuar margjinalizimin e Shqipërisë.
Edi Rama e kuptoi menjëherë këtë sinjal dhe nisi të bëhej i bezdisshëm në margjinat e samitit, duke ndërhyrë shpesh në diskutime dhe panele. Në njërin prej tyre, ai u shfaq i acaruar dhe humbi qetësinë gjatë një debati me kryeministrin malazez, duke u bërë objekt ironie në rrjetet ndërkombëtare. Pamjet e publikuara tregojnë momentin kur Spajiç i vendos dorën Ramës mbi krah, për ta ndaluar nga ndërhyrjet e vazhdueshme, një skenë që bëri xhiron e mediave dhe u përjetua si simbol i arrogancës dhe lodhjes që ai shkakton tek homologët e tij.
Në të njëjtën ditë, një nga mediat më të rëndësishme që analizon politikat e Bashkimit Europian, e financuar edhe nga rrjeti i fondacioneve Soros, publikoi një analizë ku citohej se presidenti francez Emmanuel Macron nuk do të pranonte hyrjen e Shqipërisë në BE në këtë fazë, për shkak të mungesës së reformave reale dhe akuzave për korrupsion të nivelit të lartë.
Megjithatë, për Edi Ramën çështja nuk ka të bëjë vetëm me integrimin europian, por edhe me fatin e tij personal. Publikimi i lidhjeve të qeverisë shqiptare me rrjetet e trafikut të kokainës nga mediat italiane dhe nisja e hetimeve nga antimafia e Romës nuk janë të rastësishme. Burime diplomatike në Bruksel pohojnë se sinjalet që po vijnë nga disa kryeqytete europiane janë pjesë e një procesi të gjerë presioni për ta detyruar Ramën të tërhiqet.
Në Perëndim, besimi ndaj Ramës ka rënë ndjeshëm. Aftësia e tij për t’u bërë “interesant” me batuta e shaka nuk funksionon më. “Kryeministri më i gjatë i Ballkanit” është bërë një figurë e lodhur dhe e pabesueshme për partnerët ndërkombëtarë, të cilët nuk duan më ta dëgjojnë as si justifikim, as si shfaqje.
Në ditët në vijim, priten zhvillime të tjera, pasi burime nga Brukseli dhe Roma flasin për masa konkrete në rast se Edi Rama refuzon të hapë krahun. Në krahasim me goditjen që mori Sali Berisha, ajo që e pret Ramën duket se do të jetë shumë më e rëndë. Fundi politik i tij duket se është vetëm çështje kohe./Pamfleti




