Një ngjarje shqetësuese është regjistruar sot në qytetin e Fierit, ku një djalë i mitur është filmuar teksa qëndronte i varur në dritaren e një apartamenti në një pallat të zonës. Pamjet e publikuara nga JOQ Albania kanë ngjallur reagime të forta dhe frikë për një tragjedi të mundshme, pasi fëmija shihet në një lartësi të rrezikshme, pa asnjë mbrojtje apo kujdes të të rriturve.
Sipas burimeve lokale, i mituri kryen veprime të tilla të rrezikshme pothuajse çdo ditë. Burime pranë lagjes bëjnë me dije se fëmija jeton me nënën dhe pesë vëllezër e motra të tjerë më të vegjël, ndërsa i ati ndodhet në burg.
Familja është e strehuar nga Bashkia e Fierit në këtë apartament social, por gjendja e tyre përshkruhet si shumë e vështirë, si në aspektin ekonomik, ashtu edhe në kujdesin ndaj fëmijëve.
Banorët e pallatit janë alarmuar dhe tregojnë se kanë njoftuar disa herë autoritetet për rrezikun që përbën situata, por pa rezultat. Ata thonë se sot kanë ndërhyrë edhe forcat “Shqiponja”, të cilat kanë tentuar të ndërgjegjësojnë nënën dhe fëmijët për pasojat e rënda që mund të sjellë një moment pakujdesie.
“Ky fëmijë çdo ditë del në dritare, rri varur, dhe askush nuk e ndalon. Sot mund të kishte ndodhur tragjedia. Kemi lajmëruar policinë dhe bashkinë disa herë, por asgjë s’ka ndryshuar. Nëna është e vetme, ka shumë fëmijë për të mbajtur, por kjo është jetike, duhet veprim urgjent,” – shprehen banorët.
Kërkohet ndërhyrje e menjëhershme nga Bashkia Fier dhe shërbimet sociale për të siguruar mbrojtje për të miturit dhe për të shmangur një fatkeqësi të mundshme.
Banorët apelojnë që fëmijët të marrin ndihmë psikologjike dhe sociale, ndërsa nënës t’i ofrohet asistencë për kujdesin dhe mbikëqyrjen e tyre.
Pamjet nga vendngjarja janë bërë virale në rrjetet sociale, duke shkaktuar indinjatë të gjerë dhe kërkesa për ndërhyrje të menjëhershme të institucioneve përkatëse, përpara se situata të përfundojë në tragjedi.




