Një lajm i bukur vjen nga Spitali Universitar Obstetrik – Gjinekologjik “Koço Gliozheni”, në Tiranë ku një nënë ka sjellë në jetë me një shtatzani natyrale katërnjakë.
Lajmi u bë i ditur nga Ministria e shëndetësisë dhe Mbrojtjes sociale në një postim në rrjetet sociale.

“Nga familja fantastike e Rozetës dhe Geraldos, të cilët janë bekuar me katërnjakët: Roal, Alrda, Roar dhe Auro ardhur nga një shtatzani natyrale. Jetë të gjatë vogëlushëve, të cilët pas një muaji kujdesi shëndetësor intensiv, tani janë gati për të lënë Spitalin Universitar Obstetrik – Gjinekologjik “Koço Gliozheni”, në Tiranë”, thekson MSHMS.

MSHMS shpreh mirënjohjen për përkushtimin e bluzave të bardha në të gjithë vendin, në veçanti aty ku lind jeta.

Bebet përfitojnë edhe bonusin e bebes. Prej vitit 2019, qeveria dhe MSHMS vijojnë të mbështesin programin e bonusit të bebes të cilin e kanë përfituar rreth 227 mijë familje që kanë sjellë në jetë fëmijët e tyre.
Bonusi i bebes përfitohet vetëm nga familjet që jetojnë e kontribuojnë në Shqipëri duke mbështetur në masën 40 000 lekë për lindjen e foshnjës së parë; 80 000 lekë për fëmijën e dytë, 120 000 lekë për lindjen e foshnjës së tretë.
ATSH




