Një kontroll i befasishëm është zhvilluar ditën e sotme në Burgun e Durrësit nga forcat e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Dhjetëra efektivë kanë hyrë në ambientet e brendshme të institucionit për të ushtruar kontroll në dhomat e të paraburgosurve dhe të dënuarve, përfshirë persona me rrezikshmëri të lartë dhe emra të njohur të botës së krimit.
Sipas burimeve për mediat, operacioni është ndërmarrë pas informacioneve operative se brenda institucionit mund të fshihen lëndë narkotike, telefona celularë dhe sende të tjera të ndaluara. Kontrollet janë përqendruar në disa pavione dhe ambiente të përbashkëta, me qëllim parandalimin e veprimtarive të paligjshme brenda qelive.
Kujtojmë se në burgun e Durrësit ndodhen në paraburgim ish-kryebashkiaku Erion Veliaj, ish-deputeti Jurgis Çurbja, ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, e po ashtu po vuajnë dënimin ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka dhe ish-sekretari i kësaj Ministrie Alqi Bllako.




