Gazetari Klodian Tomorri, i ftuar në një emision televiziv, ka folur në lidhje me hetimin që SPAK po zhvillon ndaj zv/kryeministres Belinda Balluku. Sipas tij, Balluku përfaqëson aktualisht ‘halli më i madh’ i kryeministrit Edi Rama.
‘Edi Rama ka një problem shumë të madh, me atë se çfarë do të ndodhë me zëvendësen e tij. Nëse shikoni historinë e të gjithë figurave të larta të PS që kanë rënë në rrjetën e SPAK, janë hetuar apo dënuar, përgjithësisht ishin njerëz që Rama u kishte bërë një largim paraprakisht.
Erion Veliajn kishte nisur ta distanconte prej 1 viti.
Me Arben Ahmetajn kishte konflikt të hapur dhe i ndërseu vetë prokurorët.
Në raport me Ballukun ka një siklet që nuk e ka pasur me këta të tjerë,’ tha Tomorri.
Sipas gazetarit, ndryshe nga të tjerët, Balluku ka një pozitë shumë të fortë politike dhe institucionale.
‘E para, sepse Balluku është zv/kryeministre në detyrë.
E dyta është zyrtarja më e fuqishme e shtetit shqiptar, pas Edi Ramës, me një pushtet të deleguar nga Edi Rama.
Dhe duke qenë një peshë kaq e rëndë dhe një natyrë ndryshe nga Veliaj apo zyrtarë të tjerë të PS-së, të cilët kanë pranuar të ulin kokën, të bëjnë burgun për hir të partisë, për një arsye apo një tjetër, qoftë nga frika apo se u është bërë presion tek familjarët, Balluku nuk e ka këtë problem.’, tha gazetari në SYRI TV.
Tomorri shtoi se dilema më e madhe e Ramës është mënyra se si do të menaxhojë politikisht një zhvillim të mundshëm të hetimit ndaj Ballukut.
‘Ajo që unë mendoj është se i gjithë problemi i Ramës tani është se, nëse SPAK do të kryejë veprime ndaj Belinda Ballukut, si të bëjë atë që cilësohet si një ‘dalje e butë’ e Ballukut sepse, atij nuk i intereson një konflikt apo një situatë ku Belinda Balluku të mendojë se u lëshua apo nuk u mbrojt nga Edi Rama.
Ky është problemi më i madh që unë shoh për Edi Ramën në ambientin e brendshëm.’
Gazetari zbuloi gjithashtu se, sipas informacioneve të tij, Rama ka qenë në dijeni për hetimet që prej disa muajsh:
‘Informacionet që kam, më thonë se Rama ka qenë i informuar prej 6-7 muaj për përgjimet që po hetohen. Telefoni i ish-drejtorit të rrugëve, Ervis Berberi, ka qenë një thesar shumë i madh për të kuptuar se si kanë qeverisur këta.
Regjisorët e Hollivudit nuk mund ta përshkruanin më bukur me dokumentar, se sa ishte aty.
Informacionet janë se, i kanë dërguar dhe fjalë që të mos e rikonfirmonte Ballukun në qeverinë e pas 11 majit, por Edi Rama bëri krejt të kundërtën, duke i dhënë më shumë pushtet, Tiranën, po e po, por edhe Ministrinë e Drejtësisë që është një institucion kyç në raport me institucionet e drejtësisë, duke i thënë se, unë po të jap të gjitha, ti dili zot vetes tani.’
 
   
   
   
   
   
   
   
  


