Dritan Kongoli, djali i shkrimtarit të madh shqiptar Fatos Kongoli, ka ndërruar jetë në Amerikë në moshën 47 vjeçare. Lajmin e trishtë e konfirmon familja dhe miqtë e shumtë të Dritanit, të cilët thonë se ai nuk e ka fituar dot betejën me kancerin në veshka.
Newsbomb.al mëson se Dritan Kongoli jetonte në Amerikë prej më shumë se dy dekadash, që në rininë e tij, dhe prej 18 vitesh shërbente si oficer i Komandës së Nju Jorkut, ku ishte dalluar për profesionalizmin e lartë dhe guximin për të mbrojtur jetët e të tjerëve.

Ndarja e parakohshme nga jeta ka dëshpëruar pa masë familjen e tij, Fatosin e Lilin, bashkëshorten me dy fëmijët e tyre të dashur, të afërmit dhe të gjithë miqtë e shumtë të familjes Kongoli.
Dritani njihet edhe si autor i një libri në anglisht dhe shqip me titull “Transplanti i jetës”, i botuar nga shtëpia botuese “Toena”.
Në muajin Korrik 2025, familja dhe një organizatë për mbledhjen e fondeve publikuan rastin e Dorian Kongolit dhe bënë me dije se ai po luftonte me kancerin e veshkave në fazën e 4.

“Si një bashkëshort i dashur dhe baba i dy fëmijëve, ai na ka frymëzuar të gjithëve përmes angazhimit të tij për të mbrojtur dhe t’u shërbyer të tjerëve. Tani, është radha jonë të qëndrojmë pranë tij gjatë kësaj kohe të vështirë. Donacionet tuaja bujare do të ofrojnë mbështetje kritike për oficerin Kongoli dhe familjen e tij ndërsa përballen me barrën financiare të trajtimeve mjekësore dhe shpenzimeve të përditshme”, thuhej në njoftim.

Fatkeqësisht, Dritani nuk ia ka dalë dot në këtë betejë të vështirë për jetën, duke mbyllur sytë përgjithmonë në moshën 47 vjeçare. Redaksia e Newsbomb.al u bashkohet mesazheve të ngushëllimit për familjen Kongoli, në këto momente të vështira për ta.
© Newsbomb.al




