Në vijim të seancës në Gjykatën Kushtetuese, ish-kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj vijoi mbrojtjen e tij, duek u ndaluar edhe tek këshilltarët bashkiakë, që votuan shkarkimin e tij.
Pasi u pyet se çfarë do ndryshonte nëse do ishte i pranishëm në mbledhjen e këshillit, Veliaj tha se nëse do arrinte të fliste, do ndryshonte vendimin. Ai u shpreh i zhgënjyer me këshilltarët, që sipas tij e kanë tradhtuar.
“Në kushtet e izolimit nuk lejohet as laptop. Kam një usb, por unë se hap dot se skam mjetet me të cilat punoj. E iniciova unë këtë procedurë.
Koha ishte e pamjaftueshme. Duhej të ishte këshilli që të merrte këtë hap. Kryetari i Këshillit duhet të merrte nisëm dhe ti shkruante drejtorisë së Burgjeve që të shoqëronte. Ti thuash me letër dhe laps, pa ditur krimin apo dhe kërkesën se çfarë bëhet fjalë. Kërkesa e parë u bë 15 ditësh. Këshilli Bashkiak ishte mësuar se unë, s’merrja as 10 ditë pushime. Njeriu merr pushime 15 ditë ose 1 muaj. Ishte çudi që unë s’kisha marrë kurrë pushime, saqë për 15 ditë zelli në Këshill kapërceu.”, tha ai.
“Zonja gjykatëse, ju falënderoj për pyetjen. Në 10 vite si kryebashkiak, ka dy mënyra si flitet në këshill: ose kur thërret kryetari, ose kur ka vendime të rëndësishme. Ka edhe një rast të tretë, kur e thërret vetë këshilli por edhe atëherë duhet të thërrasë kryetarin. Unë nuk mora asnjë ftesë nga këshilli, por një njoftim nga sekretari, që nuk është anëtar i zgjedhur i tij.
Kur gjykohet një kryetar bashkie, duhet të ketë një vendim formal të këshillit për ta ftuar atë. Sekretari nuk ka këtë kompetencë. Në fakt, unë e kam parë mbledhjen e këshillit nga televizori i burgut. Dhe po ju them sinqerisht pashë një efikasitet mbresëlënës: tetë vendime administrative brenda tetë orëve pune. Një shpejtësi që s’e kam parë asnjëherë kur kam kërkuar ndihma për qytetarët.
Më është mohuar njoftimi, ftesa dhe e drejta për të qenë aty. A do të kisha ndryshuar mendimin e tyre? Nuk e di, por besoj se fjalët kanë peshë. Ju sot po bëni diferencën, sepse po dëgjoni palët.
Fyerja më e madhe e jetës sime është që më tradhtuan ata që më njihnin. Tirana ka qenë një kantier i madh pune për 10 vite. E vetmja ‘eficiencë’ që pashë tani ishte ajo e padrejtësisë. Nuk e di nëse do t’i shikoja në sy, por po ta bëja, do t’u kujtoja se nesër mund të ishin edhe ata viktima si unë,” përfundoi Veliaj.
 
   
   
   
   
   
   
   
   
  




