Fatos Nano ka mbyllur sytë përgjithmonë këtë të premte, në moshën 73 vjeçare, duke shënuar fundin e kapitullit të jetës së tij dhe një nga më të rëndësishmit e Shqipërisë pluraliste, si “arkitekt” i Partisë Socialiste.
Lideri historik i së majtës shqiptare, me ikjen e tij ka lënë në trishtim familjen e parë dhe atë politike, bashkëpunëtorët e shumtë dhe miqtë e pafundëm.
Rexhina Nano, bashkëshortja e tij e parë, raportohet se i ka qëndruar pranë deri në ditët e fundit të jetës. Ajo ishte vajza që i vodhi zemrën në rininë e tij të hershme kur ishin gjimnazistë të “Sami Frashërit” dhe e ndoqi në rrugën e tij për gati tre dekada.
Ata qëndruan të martuar për 27 vjet, deri në vitin 2001, kur lideri historik i Partisë Socialiste njoftoi se për shkak të shumë zhvillimeve, kryesisht të këqija, martesa e kishte humbur qëllimin e saj.
Rexhina Nano ishte mjaft elegante, e bukur dhe fisnike. Të tillë mund ta përshkruash edhe sot, pasi divorci nuk mundi ta ndante dot nga shoku i saj i gjimnazit, me të cilin lidhën kurorë dhe sollën në jetë dy fëmijë që i kanë bërë gjyshër, Edën dhe Sokolin.
Fati e deshi që ata të mos ishin më bashkë, pas vitit 2001 kur dhe u ndanë ligjërisht, ndërsa ndoqën secili rrugën e tij. Rexhina u largua drejt Francës, ku dhe jeton, ndërsa Fatosi u rimartua një vit pas me Xhoanën dhe u larguan drejt Vjenës.
Jetuan atje për shumë vjet dhe vendosën sërish të ktheheshin në Shqipëri, me liderin historik të PS që me kalimin e moshës nisi të shfaqte çdo vit e më tepër probleme të theksuara në mushkëri. Sot, fatkeqësisht rezultuan fatale.
Shkrimtari shqiptar në Francë, Luan Rama thotë se Rexhina vërtet u nda ligjërisht nga Fatosi, por ajo nuk e la atë asnjëherë. Kështu, edhe në këto momente të vështira që ai kaloi derisa mbylli sytë përgjithmonë.
“Ngushëllime Rexhinës që nuk iu nda që nga burgosja e tij në vitet e para të tranzicionit e deri në ditët e fundit të jetës së tij. Ngushëllime gjithë familjes”, shkruan ai.
Dhe në të vërtetë, Rexhina i qëndroi pranë Fatosit edhe në ditët më të errëta të jetës, kur Shqipëria ishte në anarki, armët ishin rrugëve, bandat bënin ligjin, dhe ai si ish-kryeministër duhet të qëndronte në qelitë e Bënçës me të burgosurit e tjerë.
Bashkëpunëtorët kanë treguar se Rexhina e vizitonte shpesh bashkë me djalin, duke marrë prej Fatosit direktivat për drejtimin e Partisë Socialiste, të cilën ai e komandonte nga qelia dhe e çoi në fitore. Herë me gojë dhe herë me shkrim, ajo i përcillte vendimet e Nanos te tre Zëvendëskryetarët dhe Sekretari i Përgjithshëm i PS.
© Newsbomb.al




