Viktor Agolli, ish-truproja historik i ish-kryeministrit Fatos Nano, ka ndarë për publikun disa prej kujtimeve më interesante e të pathëna nga periudha kur ai shoqëronte liderin socialist. I ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, Agolli foli për marrëdhënien e ngushtë me Nanon, karakterin e tij dhe momentet kyçe që shënuan karrierën e tij politike.
Një prej episodeve më të spikatura që Agolli kujtoi ishte takimi i famshëm mes Fatos Nanos dhe Sali Berishës në studion e “Opinion”, pas një dekade tensionesh e akuzash të ndërsjella. “Nano atë ditë ishte pak i tensionuar, si gjithmonë në raste të tilla, por gjithçka shkoi mirë. Pas intervistës, ata shkuan në darkë së bashku dhe kur hymë në ashensor, Nano më tha me humor: ‘Shkërdhatë, u mërzite ti?’”, rrëfeu Agolli mes të qeshurash. Sipas tij, ky moment simbolizonte një farë çlirimi pas shumë viteve përplasje mes dy figurave kryesore të politikës shqiptare.
Më tej, Agolli ndau edhe detaje nga dita e arrestimit të Fatos Nanos në vitet ’90, ngjarje që tronditi politikën shqiptare të asaj kohe. Ai kujton se Nano ishte kthyer nga një tur politik në jug dhe veri të vendit, kur papritur u thirr nga prokuroria dhe u arrestua.
“Nano kishte bërë një takim me strukturat e PS-së në Tiranë dhe në mesditë e thirrën në prokurori. Askujt s’i shkonte në mendje se do ta arrestonin, por ndodhi menjëherë. Ishte arrestim flagrant, nuk krahasohet me asnjë rast tjetër – as me Metën, as me Veliajn. E thirrën për ta pyetur dhe e prangosën menjëherë”, tregoi ai.
Sipas ish-truprojës, Fatos Nano e kishte ndjerë se një ditë do të përfundonte pas hekurave. “E dinte që do vinte ai moment. Për këtë arsye bënte çdo ditë stërvitje fizike në shtëpi, që të ishte gati për të përballuar burgun. Ishte një njeri me karakter të fortë, që nuk dorëzohej lehtë”, tha Agolli.
Në rrëfimin e tij, ai theksoi se pavarësisht gjithçkaje, Nano ruante një sens humori të veçantë dhe një qetësi të rrallë edhe në momentet më të vështira, çka e ndihmoi ta kalonte me dinjitet periudhën e burgut dhe më pas të rikthehej fuqishëm në politikë.
Ky intervistim rikthen në vëmendje jo vetëm figurën komplekse të Fatos Nanos, por edhe dinamikën e politikës shqiptare të viteve të tranzicionit, ku tensionet, marrëdhëniet personale dhe surprizat ishin pjesë e përditshme e historisë politike të vendit.




