Deputeti demokrat Bujar Leskaj përmes një postimi në Facebook ku bën një analizë të gjatë të situatës ku ndodhet Partia Demokratike dhe opozita, bën po ashtu me dije se i ka komunikuar kryetarit Sali Berisha, dorëheqjen e tij nga posti i drejtuesit politik për qarkun e Vlorës.
“Analiza e zgjedhjeve, mbas denoncimit të farsës zgjedhore dhe raportit të OSBE/ODIHR, duhet të fillojë nga drejtuesit politikë që humbën në zgjedhjet e 11 majit në qarqet e tyre, pavarësisht farsës dhe manipulimit të zgjedhjeve. Këta drejtues duhet ose të japin dorëheqje (personalisht, menjëherë pas zgjedhjeve, në maj 2025, i paraqita Kryetarit të Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berishës dorëheqjen time, si drejtues politik i qarkut Vlorë) dhe/ose të zëvendësohen me të rinj, nga kandidatët e PD-së në listat e hapura që fituan ose morën mbështetje të gjerë nga elektorati”, shkruan Leskaj.
Leskaj po ashtu sqaron se do të largohet edhe nga jeta parlamentare në të ardhmen e afërt duke lënë mandatin e deputetit.
“Personalisht, pas dy vitesh, do të lë mandatin tim të deputetit tek kandidati pasardhës në listë, për të inkurajuar deputetët e rinj, nxitur rinovimin dhe për të sjellë një frymë të re të të bërit politik. Ky është një proces që duhet të ndiqet nga të gjithë deputetët aktual; të cilët më vonë si ish-deputetët duhet të vazhdojnë të kontribuojnë maksimalisjt si të ishin deputet, me veprimtari. Kjo formulë në optikën time e bën më të shëndetshme Partinë Demokratike, duke e bërë më të fortë, më te hapur dhe më të sigurt për të ardhmen”, shprehet ai.
Në vijim ai shprehet se për të ndërtuar një PD më të fortë, është e domosdoshme që partia të fillojë një proces të thellë riorganizimi, i cili duhet të përfshijë çdo nivel të saj.
“Kjo do të thotë që të krijohen struktura që mund të adresojnë në mënyrë më efektive nevojat e qytetarëve dhe të angazhojnë forca të reja. Një pikë tjetër ka të bëjë dhe me rolin e institucionit të Drejtuesit Politik. Ky ndryshim nuk duhet parë si një akt formal, por si një proces i thellë rinovimi, që sjell progres për partinë dhe shoqërinë”, nënvizon ai. (A2 Televizion)




