Familja e këngëtares së famshme italiane, Laura Pausini, është tronditur nga një ngjarje e rëndë. Mediat italiane shkruajnë se xhaxhai i artistes, Ettore Pausini, ka humbur jetën në një aksident rrugor të ndodhur në periferi të Bolonjës, pasi u godit nga një makinë që më pas u largua me shpejtësi nga vendngjarja.
78-vjeçari, një çiklist i apasionuar dhe figurë e njohur në shoqatën Onconauti, po kthehej nga një prej udhëtimeve të tij të zakonshme me biçikletë në Via degli Stradelli Guelfi, midis Castenasos dhe San Lazzaro di Savena, kur u përplas ballë për ballë nga një “Opel Astra” e vjetër me ngjyrë të çelët. Përplasja ishte fatale dhe, pavarësisht përpjekjeve të ekipeve të emergjencës për ta ringjallur, Pausini nuk mundi të mbijetojë.
Shoferi, që sipas dëshmitarëve nuk ndaloi për të dhënë ndihmë, është në kërkim nga policia. Autoritetet kanë nisur një hetim të gjerë, duke analizuar kamerat e sigurisë në zonë për të identifikuar makinën dhe personin përgjegjës.
Banorët vendas kanë shprehur indinjatën për mungesën e masave të sigurisë në atë segment rruge, të cilin e kanë cilësuar prej kohësh si “të rrezikshëm” për biçiklistët.
Ettore Pausini ishte një figurë e dashur në komunitetin e Bolonjës. Për më shumë se 30 vjet kishte punuar si berber në Piazza Azzarita dhe ishte njohur për natyrën e tij të qetë e të përkushtuar. Ai kishte fituar edhe një betejë të vështirë me kancerin, duke u bërë më pas pjesë aktive e Onconauti – një shoqatë që ndihmon pacientët me kancer në procesin e rehabilitimit. Në vitin 2016, Laura Pausini e kishte përmendur me krenari xhaxhain e saj në rrjetet sociale, duke e quajtur “një kampion të vërtetë” dhe duke i shprehur dashurinë për forcën dhe shpirtin e tij luftarak.

Lajmi për humbjen e tij ka prekur thellë komunitetin e Solarolos dhe të Bolonjës, ku dhjetëra miq dhe fansa kanë shprehur ngushëllime për familjen. Laura Pausini ende nuk ka reaguar publikisht, por mesazhet e mbështetjes dhe ngushëllimit për këngëtaren dhe familjen e saj po shtohen me shpejtësi në rrjetet sociale.




