Qeveria e kryeministrit Edi Rama ka vendosur që edhe këtë fundvit të tregohet “zemërgjerë” me pensionistët. Ka qenë ministri i Financave, Petrit Malaj ai i cili gjatë mbledhjes së Komisionit të Ligjeve u shpreh se edhe këtë vit është parashikuar që bonusi për pensionistët në fundvit të shpërndahet duke ndjekur të njëjtë praktikë ashtu sikurse dhe vitin e kaluar.
Pra, njëjtë si dhe një vit më parë, bonusi i fundvitit do të jetë nga 10 mijë deri në 15 mijë lekë të rinj. Sipas këtij vendimi, të moshuarit të cilët marrin një pension deri në 20 mijë lekë të rinj do të përfitojnë 15 mijë lekë bonus, ndërsa ata që marrin mbi 20 mijë lekë pension do të përfitojnë 10 mijë lekë bonus.
Shpërblimet do të kalohen në llogaritë e 756 mijë pensionistëve në muajin dhjetor të 2025.
“Kush ka pension deri ne 20 mijë lekë do të marrin 15 mijë lekë, dhe kush ka pension mbi 20 mijë lekë do të marrin bonus fundviti 10 mijë lekë.”, tha shkurtimisht Ministri i Financave.
Pjesë nga fjala e Malajt:
“Më lejoni të paraqes një përmbledhje, ekonomia shqiptare po ecën në trajektore të qëndrueshme. Borxhi publik zbriti, duke regjistruar nivelin më të ulët që nga viti 2010. Sipas vlerësimeve, borxhi shkon në nivelin 54.1 % të prodhimit të brendshëm bruto. Sa i përket të ardhurave janë realizuar rreth 4 miliardë lekë mbi planin e punës. Kemi rritje me 132 mln më shumë në krahasim me vitin e kaluar.
Këta tregues pasqyrojnë stabilitetin e financave. Ndryshimet propozojnë: rritjen e të ardhurave me 12.1 miliardë lekë, rritjen e shpenzimeve të përgjithshme me 5.7 miliardë lekë. Kemi ulur deficitin buxhetor. Skema e pensioneve do të përfitojë 7.6 miliardë leke shtesë. Kush ka pension deri ne 20 mijë lekë do të marrin 15 mijë lekë, dhe kush ka pension mbi 20 mijë lekë do të marrin bonus fundviti 10 mijë lekë”.
Në rishikimin e buxhetit 2025 qeveria ka parashikuar që pensionistët këtë fundvit do të kenë një buxhet më të madh të dedikuar nga qeveria sa i përket bonusit të përvitshëm. Ky buxhet është 5.9 miliardë lekë dhe do t’u shpërndahet rreth 756 mijë pensionistëve.
Sakaq pritet që ditën e sotme në orën 17:00, në mbledhjen e qeverisë të kalojë buxheti dhe më pas do të kalojë në Parlament.
Socialistët kanë rënë dakord që më 19 nëntor të diskutohet në parim në Parlament, ndërsa në datën 11 dhjetor do të diskutohet nen për nen.




