Ish-ministrja e Kulturës, Arta Dade, ka rrëfyer në emisionin “Goca dhe Gra” për ndjesitë që përjetoi në ditën që ish-kryeministri Fatos Nano u përcoll për në banesën e fundit.
Arta Dade u shpreh se gjatë ceremonisë mortore i kaluan para syve të gjitha vitet që ajo i shërbeu politikës shqiptare kur Fatos Nano drejtonte PS-në.
Ish-ministrja Arta Dade gjithashtu shprehu vlerësimet për Fatos Nanon, për të cilin tha se ishte i qytetëruar dhe që merrte përgjegjësi në momente kritike për vendin.
“Atë ditë që qe funerali i Nanos, të kalon si një film të gjitha vitet që kemi kaluar kur ai ishte kryetar. Atëherë nuk kishte arbitraritet as në emërime, ne votonim në kryesi, votimi ishte realisht demokratik.
Nuk ndodh më tani. Demokracia e brendshme e partive sot ka hapa mbrapa. Këtu vlen që të ketë korrigjime dhe reflektime. Votimet e rregullta të nxjerrin vlerta më të spikatura.
Nanos iu desh të merrte përgjegjësi, si kryeministër, si përgjegjës. Të marrësh një përgjegjësi në kushte të vështira të vendit tregon një qytetari. Dhe pse nuk e ke të garantuar suksesin ai përsëri e mori përsipër.
Kjo është për tu vlerësuar. Moment i vështirë ishte edhe kur u arrestua dhe ne patëm edhe një protestë. Askush nuk e ka thënë që Nano u cilësua si një i burgosur politik. Nano në momente të vështira ka marrë përgjegjësi shumë të mëdha.”-u shpreh Arta Dade.




