Kreu i SPAK, Altin Dumani, ka dhënë një intervistë për emisionin “Trialog” ku foli për drejtimin e Prokurorisë së Posaçme prej tre vitesh, akuzave dhe sulmeve nga politika.
Altin Dumani u shpreh se SPAK ka treguar dhe ka dhënë shenja që s’ka të paprekshëm dhe se të gjithë janë përgjegjës para ligjit pavarësisht funksionit që ato mbajnë.
Altin Dumani theksoi se në tre vitet e fundit ka pasur një numër të lartë në rritje të hetimeve ndaj zyrtarëve të lartë, organizatave apo grupeve kriminale. Për Altin Dumanin, SPAK nuk fal askënd, mjafton të ketë prova.
Deklarata e Dumanit që askush s’është i paprekshëm për SPAK, duket sërish si një mesazh apo “kërcënim” i hapur për Edi Ramën, pasi të njëjtën përgjigje dha edhe kur u pyet në Parlament se përse kryeministri është “shpallur” i paprekshëm nga SPAK.
“Pavarësisht nëse është funksion politik, publik apo fuqisë financiare që mbart. Për prokurorët e SPAK është e rëndësishme që ata të ndërtojnë hetime të suksesshme ndaj subjekteve që kanë në ndjekje.
Besoj se këto vite kanë treguar pikërisht këtë, që SPAK është i aftë të ushtrojë ndjekjen penale ndaj çdo subjekti. S’ka të paprekshëm, s’ka drejtësi selektive.
Nuk mund ta konsideroj si sukses sepse për ta konsideruar sukses të plotë veprimtarinë e SPAK për 6 vite, duhet të presim edhe vendimet e gjykatave, vendimet e formës së prerë, të gjykojmë më ftohtë dhe të jemi realistë në vlerësime.
Vendimet e formës së prerë kanë filluar të vijnë. Kemi zyrtarë të lartë, të nivelit shumë të lartë, të mesëm, të nivelit të ulët, që janë deklaruar fajtorë me vendime të formës së prerë të gjykatave.
Periudha 3-vjeçare në drejtimin e SPAK ka koinciduar me një rritje të numrit të hetimeve për zyrtarë të lartë, organizata e grupe kriminale.
Jemi përpjekur të kryejmë hetime shterruese, të grumbullojmë prova, të ngremë akuza me shpresa që të kemi dhe vendim fajësie të suksesshëm si dhe të respektojmë të drejtat e të pandehurit në procesin penal.
Nuk i ndajmë çështjet sipas përkatësisë politike, as sipas funksioneve publike. Prova është e rëndësishme për ne. Prova është e rëndësishme dhe s’ka rëndësi emri.”-tha Dumani.



