“Ik Mehmet, ik Kadri, ik Beqir, na fal, ik Erjon për partinë”, analiza e Artan Fugës: Të gjithë rendën pas NJËSHIT, opozita, Presidenti, Këshilli Bashkiak, Partia, miqtë, fiqtë…

Akademiku Artan Fuga ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila i dha të drejtë ankimimit të Erion Veliajt për shkarkimin nga detyra e kryebashkiakit të Tiranës, si dhe anulimin e dekretit të Presidentit për mbajtjen e zgjedhjeve për kryeqytetin.

Fuga shkruan mes të tjerash se ky vendim nuk ishte surprizë, pasi ishte e qartë shton ai, se shkarkimi nga detyra nuk ishte i ligjshëm.

Përmes ironisë, Fuga komenton edhe qëndrimet që u mbajtën nga miqtë apo kundërshtarët politikë të Veliajt, teksa ndalet edhe te reagimi i Florjan Binajt, kandidati i pavarur i mbështetur nga opozita, i cili tha se do të kandidojë sërish kur zgjedhjet të zhvillohen.

Reagimi i plotë:

Detashmenti

Nuk kishte dyshim se shkarkimi i Erion Veliajt nga posti i kryetarit të Bashkisë ishte i paligjshëm. Nuk ka nevojë veçse të kesh marrë pak mësime në teorinë kushtetuese për ta pas ditur.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk është se tha ndonjë gjë që nuk dihej. Një njeri që nuk ka statusin e të dënuarit nuk mund të shkarkohet. Erdhi fëmija dhe tha se mbreti është lakuriq! Shkarkimi i Kryetarit është i paligjshëm!

Argumenti empirik kundër argumentit juridik është një barbari, pra të thuash se meqë ngeli qyteti i papastër, a thua se më parë ndriste, për të shkelur ligjin dhe kushtetutën, marrë nëpërkëmbë të zgjedhurin lokal, nuk vlente as për fëmijët!

Por, ja që vlente për juristët e shkalafitur të Presidentit që edhe herë të tjera ka shkel me ligj me Kushtetutë. Nuk është hera e parë, janë recedivistë.

Mirëpo ky vendimi i Gjykatës nuk hodhi poshtë vetëm vendimin e Kryeministrit, por edhe të Këshillit të Ministrave për këtë punë.

Kush pyet për ligj e për Kushtetutë! O burra – tha Presidenti – ta dekretoj vendimin për zgjedhje të reja në Tiranë duke u bërë njësh me letrën që i kishte ardhur nga Kryeministria.

Përse kryeministrinë do të kundërshtoj unë! Kush jam unë! Mua kryeministria më emëron dhe më shkarkon!

Vërrrr firmën dhe shko tutje!

Kush po e çan trapin! Pse ne do ta mbrojmë pushtetin lokal!

Ekspertët e Kushtetutës në Presidencë urrrrraaaaaaah ç’a fluturon hahet, edhe ca të tjerë që për çfarë nuk flasin veçse për Kushtetutën jo!

Vërrr dhe Asambleja e Partisë Socialiste, ta shkarojmë? Posiiiii, këtu në sallë, me duartrokritje, pa pyetur se mes ovacioneve po shkelnin ligjin me pasione politike! Kush po pyet!

Qentë le të lehin karvani ecën përpara!

Vjen vendimi në Këshillin Bashkiak të Qytetit. Njëzëri këshilltarët socialistë, unanimë, grusht çeliku rreth partisë bashkuar!

Ik Mehmet, ik Kadri, ik Beqir, na fal, ik Erion sakrifikoju për partinë! Kush po pyet për ligj e Kushtetutë!

Më parë, gjithë grupi i deputetëve socialistë në Kuvend, në vend të ngrihej kundër kësaj shkeljeje ligjore, heshti dhe e aprovoi në heshtje. Nuk bëzajti.

Prisni mo se po ja fusni ish shokut tuaj! Ehuhaaaaaa! Seriozisht e ke ti! Unë më shumë dua këtë kolltukun tim se shokun. E ke dëgjuar atë shprehjen se për femrën mê të keqe le shokun më të mirë! Këtu s’është punë femrash, por kolltuku, milionash në muaj!

Heshtën edhe analistët! grusht bashkuar rreth grushtit kundër ligjit!

Mirëpo deri këtu dihet!

Po me shkeljen e ligjin dhe të Kushtetutës na u bashkuan edhe këshilltarët e opozitës në Këshillin Bashkiak. U bën njësh me shumicën! Gjoja se ishin kundër Velisë! Kundër Velisë, apo me qeverinë?

Jo, por ne jemi për rrëzimin e Veliajt? Në kundërshtim me ligjin o mbrojtës të paepur të ligjit? Politikë të paligjshme bëni?

Ku shkoi besimi te ju?

S’u ndjenë as deputetët opozitarë që një herë në tre muaj firmosin memorandume drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të mbrojtur Kushtetutën? Pooo, e bëjmë, por kur na intereson ne! Përndryshe në djall vaft ligji, Kushtetuta, e dreqi me të birin!

Pse opozita do ta mbrojë Kushtetutën?

Dhe tani thonë do bëjmë manifestime! Po, bëni, por niseni me një manifestim kundër vetes suaj!

S’u ndjenë as militantët, patronazhistët, veteranët, të varfërit e qytetit, lypsarët, organizatat, ojfqshrssht, ik o Kryetar na lër rehat! Ik o ligj për kokë tënde!

Miqtë u zhdukën, s’kishte më fiq!

Cfarë është kjo shoqëri pa institucione autonome? C’është kjo shoqëri që pas apelit të NJËSHIT rend si e marrë e gjithë shoqëria e elitës, ata që hiqen si elitë, shkon pas opozita, Presidenti, Këshilli Bashkiak, Partia, partitë, miqtë – fiqtë, madje edhe kandidati opozitar – jo-opozitar për kryetar bashkie!

Kandidat i dashur ! Kjo quhet ndërgjegje politike që ti nuk e ke! Sado djalë i mirë, sado artist skene i këndshëm. Ja përse nuk ishte punë për ty!

Si e quante Maks Weber këtë shoqëri kështu, pa strukturë, pa ligj, e udhëhequr me pasione, që i vete pas pa pyetur liderit karizmatik?

E quante hordhi!

 

Top Channel